Grabisnin karburantet, të rinjtë: Na duheshin para, nuk do vrisnim njeri
Një ditë më parë u arrestuan Klajdi Pupa, i dënuar më parë për posedim të lëndëve narkotike dhe Florian Thana, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Ata u prangosën pasi grabisnin me armë karburantet.
Gjatë deklarimit të dhënë para oficerëve të policisë, dy të arrestuarit kanë pranuar dhe shpjeguar mekanizmin e kryerjes së grabitjeve, raporton “Panorama”.
“Grabisnim sepse ishim të papunë dhe na duheshin para. Ne merrnim makina me qira në mënyrë të rregullt, që të mos pikaseshim dhe identifikoheshim.
Pasi përfundonim grabitjen, makinat i kthenim sërish te vendi ku i kishim marrë. Armët dhe maskat i kishim siguruar në rrugë të ndryshme.
Kemi kryer disa grabitje, kryesisht karburante, pasi ato ishin të hapura gjatë orëve të natës.
Rojet dhe punonjësit i dhunonim psikologjikisht nën kërcënimin e armëve. Ne nuk kishin për qëllim të dhunonim fizikisht apo qëllonim mbi punonjësit, pasi objektivi ynë ishte të merrnim paratë e xhiros ditore dhe të iknim”, kanë pohuar ndër të tjera për policinë të arrestuarit.
Përpos dy të rinjve të prangosur është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit B.K., 20 vjeç, gjithashtu i dënuar më parë për vjedhje.

