GREQI – Tejnxehet fushata elektorale tri ditë para zgjedhjeve

Në një klimë të ashpër polarizimi dhe shkëmbimi akuzash, ndonjëherë edhe të rënda, vazhdon në Greqi fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme legjislative të 25 janarit, të thirrura për shkak se parlamenti nuk arriti dot të zgjidhte presidentin e republikës.

Kryeministri grek, Antonis Samaras, duke folur dje në mbrëmje në Selanik, akuzoi liderin e SYRIZA-s se kërkonte të largonte nga Greqia investitorët e huaj, të pezullonte të gjitha investimet e mëdha të momentit dhe të rikthente nën kontrollin e shtetit disa privatizime të rëndësishme.

”Vetëm në Venezuelë dhe në Korenë e Veriut flitet për nacionalizimin”, theksoi Samaras.

Nga ana e tij, Cipras, i cili dje në mbrëmje foli në Patra, u kërkoi grekëve që t’i jepnin partisë së tij një fitore të madhe për të formuar një qeveri që të ishte në gjendje të zbatonte programin e saj.

Cipras akuzoi partinë ”Demokracia e re” të Samarasit si një ”parti e ekstremit të djathtë që përsërit slloganet e juntës së kolonelëve duke risjellë intolerancën e viteve të luftës civile”.“Për dy vjet e gjysmë me radhë Samarasi u dhuronte para miqve të tij. Ne nuk do të qeverisim kurrë së bashku me trojkën (BE-FMN-BQE) dhe nuk do të pranojmë përfaqësues të trojkës në Këshillin tonë të Ministrave”, theksoi Cipras.Evangjelos Venizelos, lider i PASOK-ut, i cili lufton me partitë e tjera të vogla për të zenë vendin e tretë në zgjedhje, akuzoi edhe ”Demokracinë e re” edhe SYRIZA-n për ndjekjen e një politike ”të polarizimit të verbër të shoqërisë që nuk të çon asgjëkundi”.

“PASOK-u shpreson të zerë vendin e tretë sepse kërkon të jetë garanti i stabilitetit politik të vendit”, theksoi Venizelos

SHKARKO APP