Greqia bllokon integrimin e Shqipërisë! Zbardhet deklarata dërguar 27 anëtarëve të Bashkimit Europian

Është zbardhur deklarata që Greqia u ka dërguar 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE. Greqia ka vendosur kushte dhe kërkon të bllokojë hapat e ardhshëm të anëtarësimit të vendit tonë në BE.

Konkretisht, Greqia kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë si dhe prezumimi i pafajësisë.

Letra e plotë dërguar 27 vendeve anëtare të BE-së: 

Greqia vazhdon të ketë rezervat e saj të forta në lidhje me rezultatin e procesit të shqyrtimit të Shqipërisë në grupin 1 (Bazat), për shkak të rastit të z. Fredi Beleris, i cili përbën një shkelje flagrante të shtetit ligjor dhe të të drejtave politike të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht. të pjesëtarëve të pakicës etnike greke. Z. Fredi Beleris, anëtar i pakicës etnike greke të Shqipërisë dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, u arrestua nga autoritetet shqiptare dy ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, me akuzën e mashtrimit zgjedhor. Gjatë periudhës parazgjedhore, zoti Beleris dhe kandidatura e tij janë veçuar vazhdimisht nga lidershipi politik shqiptar në një sërë sulmesh të drejtpërdrejta verbale. Megjithatë, ai ishte një nga shtatë kandidatët e opozitës, të cilët arritën të fitonin një nga 61 bashkitë e vendit. Arrestimi i tij ngre shqetësime serioze duke përfshirë praktikën diskriminuese kundrejt një anëtari të një pakice etnike të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar. Z. Beleris vazhdon të qëndrojë në burg edhe sot e kësaj dite, gati për shtatë muaj dhe kështu i është mohuar e drejta politike si kryetar i zgjedhur për të marrë detyrën. Duhet theksuar se, sipas ligjit shqiptar, marrja e detyres nuk duhet te jete paragjykues ndaj procesit apo rezultatit te gjykimeve në pritje, duke qenë se ai përbën thjesht një akt të thjeshtë administrativ, i cili nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit. Kësisoj, ndalimi i betimit të kryetarit të zgjedhur z. Beleris përbën një vendim politik të ndërgjegjshëm të Qeverisë Shqiptare që reflekton mosrespektimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës.
Situata bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta evropiane, kriteret e anëtarësimit dhe acquis të BE-së, të cilat janë të panegociueshme. Greqia pret që Shqipëria të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për marrjen e detyrës së z. Beleris si dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë. Përndryshe, Greqia nuk do të jetë në gjendje të pajtohet me fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e Raportit të Vlerësimit të Standardeve.

SHKARKO APP