Greqia pezullon futbollin, Tsipras : Stop kampionateve

Të ndalohen të gjitha kampionatet profesionale lokale të futbollit për një kohë të papërcaktuar. Ky është vendimi drastik i qeverisë greke pas ngjarjeve të reja të dhunshme. Ky vendim vjen pas ngjarjes në derbin e Athinës ndërmjet Olimpiakos dhe Panathinajkos, ku tifozët bardhë e gjelbër tentuan të pushtojnë fushën duke sulmuar forcat policore e mbetën të plagosur 2 persona.

Tensione ka pasur edhe në përballjen e Larissa me Olimpiakos Volou, dhe rrahje midis liderëve gjatë mbledhjes së këshillit të Super Ligës Greke.

Zv/ministri i sportit, Stavros Kontonis, i kërkoi të gjithë organeve kompetente të futbollit grek që të pezullojnë të gjitha aktivitetet për një periudhë kohore të papërcaktuar, ose deri kur të hartohet një kuadër i ri legjislativ në luftën kundra dhunës.

 

Kontonis u takua këtë mëngjes me kryeministrin Aleksis Tsipras, i cili aprovoi vendimin për të pezulluar  të gjitha aktivitetet e futbollit.

Dje më 25 shkurt, Kontonis pati një takim me përfaqësuesit e Federatës Greke të Futbollit, të Super Ligës dhe Football Ligës dhe bëri të ditur vendimin e qeverisë lidhur me kampionatet deri kur të gjehet një zgjidhje.

“Pata një takim të gjatë me presidentët. U shpjegova problemet dhe pozicionin e vështirë në të cilin ndodhet qeveria karshi këtyre ngjarjeve,” tha Kontonis, i cili kërkoi që të bëhen ndryshime drastike në futbollin grek, duke filluar që nga bileta elektronike, e deri tek telekamerat në stadiume.

Ndërsa president i Ligës greke, Giorgios Borovillos, tha se pezullimi i Super Ligës për një periudhë kohore të papërcaktuar nuk është zgjidhja e problemeve në futbollin grek. “Qëllimi i shtetit është gjetja e zgjidhjeve të një problemi që ka vite që ekziston në vendin tonë. Kemi pasur një diskutim me ministrin e sportit, Kontonis, për të studiuar mënyrat që mund të përmirësojnë funksionimin e kampionatit actual, por edhe për të propozuar kushte për fillimin e një kampionati të ri”.

SHKARKO APP