Gripi, Beqaj: Shkollat i mbyllëm të shmangim grumbullimet jo nga kushtet
Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të martë, Zyrën Operacionale të Emergjencave Civile për të diskutuar mbi situatën më të fundit të motit dhe atë të gjendjes gripale në vend.
Disa ministra raportuan situatën më të fundit përballë kreut të qeverisë.
Sa i përket situatës me gripin në vend, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u shpreh se situata me gripin vijon të jetë e rënduar në vend, por ka një tendencë ndaljeje pas masave të marra.
Beqaj tha se po vijon vaksinimi, duke sqaruar se shkaku i mbylljes së shkollave u bë për shkak se gripi përhapet nga grumbullimet.
“Duhet të sqarojmë se shkollat nuk u mbyllën për shkak të kushteve që kanë në to , njëra më e ngrohtë apo njëra më e ftohtë. Jo, sepse gripi përhapet ku ka grumbullim të madh të madh të njerëzve dhe ky ishte qëllimi. Të shmangim grumbullimet, ashtu sikundër këshillojmë që qytetarët të shmangin ambientet publike me grumbullime sepse vetëm kështu ruani veten në këto ditë kur epidemia e gripit ka rënë në vend”- tha ministri Beqaj.

