Hapet shkolla e re në Manzë, ministrja Ogerta Manastirliu: Vetëm në Durrës u rehabilituan 25 shkolla
Shkolla e rindërtuar “Zyber Sallaku” në Manzë, Durrës ka hapur dyert me kushte bashkëkohore për rreth 300 nxënës. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe Monica Merino, Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, ishin të pranishme në përurimin e kësaj shkolle 9-vjeçare, e cila është rindërtuar falë mbështetjes nga qeveria daneze dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar, të cilat kanë ndihmuar për ringritjen e institucioneve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.
“Jam e kënaqur që tashmë vijmë me një tjetër shkollë këtu në Manëz, në Durrës. Një shkollë e rehabilituar me standardet më të mira që do t’i shërbejë rreth 300 nxënësve të kësaj zone, me një komunitet mësuesish vërtet për t’u vlerësuar. Kjo shkollë tashmë ka jo vetëm infrastrukturën më të mirë, por edhe laboratorët e kimisë, fizikës, teknologjisë dhe informacionit, terrenin sportiv. Është një shkollë që i shërben fëmijëve dhe komunitetit jashtë orarit mësimor, duke u bërë një qendër kulturore, edukative dhe sportive për të gjithë këtë komunitet këtu në Manëz”, tha Manastirliu.
Ky projekt është pjesë e një iniciative të gjerë të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për të përmirësuar infrastrukturën arsimore në mbarë vendin. Aktualisht janë duke u hapur kantieret e 40 shkollave të reja, të cilat pritet të përfundojnë deri në vitin 2025. Për këtë vit janë në proces përfundimi 100 objekte arsimore, përfshirë shkolla dhe terrene sportive. Ministrja Manastirliu u ndal dhe te rritja e konsiderueshme e pagave për mësuesit që do të nisë nga muaji korrik dhe Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional.
“Viti i ri shkollor padyshim do të na gjejë me shumë shkolla të tjera që hapin dyert për nxënësit. Dhe për të garantuar dhe motivimin e mëtejshëm të mësuesve, do të jetë gjithashtu dhe rritja e pagave që do të realizohet nga muaji korrik. Qeveria shqiptare është e angazhuar për prioritetin e saj që është arsimi, edukimi i fëmijëve tanë, ndaj motivimi për mësuesit do të jetë përmes disa mbështetjeve që vijnë direkt për ta, qoftë me rritjen e pagave që do të jetë e konsiderueshme, por edhe me edukimin në vazhdim dhe mbështetjen për zhvillimin profesional”.
Pas rindërtimit me standardet më bashkëkohore, shkolla “Zyber Sallaku” tashmë rifillon aktivitetin e saj normal dhe është gati që t’i bashkohet programeve kombëtare, si “Ekipet Sportive në Shkolla”, “Art dhe Zeje”, dhe “Toka Ime”, që rrisin socializimin mes fëmijëve, frymën sportive dhe gjithë përfshirjen.
Krahas ambienteve komode, kësaj shkolle i shtohet edhe një laborator IT, si pjesë e një nisme të shtrirë në të gjithë Shqipërinë për ta lidhur arsimin me teknologjinë dhe për të rritur kompetencat e të rinjve në fushën e informacionit dhe komunikimit.
Me laboratorë të avancuar, sallë multifunksionale, bibliotekë, dhomë psikologu dhe fusha të jashtme sportive, shkolla 9-vjeçare “Zyber Sallaku” është riparuar në një linjë me parimet themelore të “Rindërtojmë Më Mirë” dhe “Rindërtojmë Së Bashku” për të ofruar mjedise të modernizuara, efiçiente ndaj energjisë dhe me aksesueshmëri të lartë për personat me aftësi të kufizuara.
Në fokus të Projektit CIS janë edhe ndërhyrjet e tjera për rindërtimin e kopshtit “Isuf Ferra” dhe riparimit të palestrës së shkollës 9-vjeçare “Isuf Ferra” në Shkozet, Durrës; si dhe riparimi e përforcimi i plotë i shkollës së mesme të bashkuar “Jusuf Hoti” bashkë me rindërtimin e kopshtit në Katund të Ri, Durrës.