Harta territoriale përplas politikën dhe qytetarët, protesta në Belsh e Selenicë
Kundërshtimet ndaj draftit të ri të hartës territoriale të propozuar nga Partia Socialiste po shtohen në disa bashki të vendit. Edhe këtë të shtunë, qytetarë të Belshit dhe Selenicës dolën në protesta, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj ndryshimeve të parashikuara në ndarjen administrative.
Në Belsh, banorët kundërshtojnë bashkimin e bashkisë së tyre me Elbasanin dhe kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion, me synimin për të ndalur zbatimin e këtij propozimi. Edhe në Selenicë, qytetarët kanë shprehur rezerva për planin që parashikon bashkimin e bashkisë me Vlorën, duke argumentuar se një vendim i tillë do ta bëjë më të vështirë marrjen e shërbimeve publike për banorët.
Reagime të forta kanë ardhur edhe nga drejtuesit vendorë. Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, e ka cilësuar draftin të njëanshëm dhe ka deklaruar se kërkesat e komunitetit nuk janë marrë parasysh. Ai u bëri thirrje deputetëve të mos votojnë ndryshimet e propozuara, ndërsa paralajmëroi protesta dhe hodhi idenë e organizimit të një referendumi lokal për të vendosur mbi fatin e bashkisë.
Në debat është përfshirë edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili kërkoi që procesi të mos mbetet vetëm teknik, por të zhvillohet në konsultim të plotë me qytetarët. Braçe theksoi se vendime të tilla duhet të marrin në konsideratë historinë, identitetin dhe zhvillimin ekonomik të bashkive që preken nga reforma. Ai solli si shembuj Policanin, Divjakën dhe Libohovën, duke vlerësuar rëndësinë e tyre historike dhe ekonomike dhe duke kërkuar që zëri i banorëve të dëgjohet përpara miratimit të çdo ndryshimi.
Ndërkohë, qytetarët e bashkive që preken nga drafti i ri paralajmërojnë se protestat do të vijojnë dhe mund të përshkallëzohen, nëse politika nuk rishikon propozimin për hartën e re territoriale.
KOHA JONË SONDAZH

