Haxhinasto dhe Tahiri, në rezervuarin e Maskurisë: Rrezikohet jeta e banorëve

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe Ministri Punëve të Brendshme Saimir Tahiri kanë inspektuar në mesditë rezervuarin e Maskurisë, në Komunën Golem të Kavajës. Ky rezervuar, për shkak të reshjeve të shumta është tejmbushur me ujë dhe për pasojë diga e tij ka pësuar dëmtime duke rrezikuar çarjen dhe përmbytjen e banorëve dhe zonave përreth. Autoritetet kanë ndërhyrë me vënien në punë të motorpompave, për uljen e nivelit të ujit dhe për të dhënë garanci në rast të përkeqësimit të situatës.

Ministri Haxhinasto bëri me dije se janë marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës në këtë rezervuar, si nga ana teknike ashtu edhe nga ana e sigurisë, për sigurinë e gjithë banorëve dhe zonës përreth.

“Unë shpreh shqetësimin tim për ndryshimet që ka sjellë ndërhyrja në këtë vepër dhe ndryshimet në sigurinë e digës që kanë sjellë punimet, si dhe ndërtimi që është bërë këtu, për impiantin e marrjes së ujit për furnizimin e zonës me ujë të pijshëm. Sigurisht që kjo është një çështje që do të ketë një hetim të thellë dhe do të shikohet në të gjitha planet, tek ata që kanë bërë projektin apo dhe tek ata që e kanë zbatuar dhe realizuar projektin, pasi nuk mund të lejojmë në asnjë mënyrë që të bëhen projekte pa cilësinë e duhur teknike. Mungesa e cilësisë dhe e standardit na përball sot me situatën, ku rrezikohet një vepër e tillë e rëndësishme ku potencialisht, rrezikohet jeta e banorëve”: – tha Haxhinasto.

 

Ai siguroi se me Ministrin Tahiri janë angazhuar në një proçes hetimi për të vënë përpara përgjegjësisë së plotë strukturat që e kanë shkaktuar këtë situatë.

 

Sa i përket sigurisë në vend në këtë situatë kritike ku ndodhet vendi, Ministri Haxhinasto tha se prioriteti absolut është jeta e njerëzve. Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve dhe u apeloi banorëve të pranojnë evakuimin në rastet kur ju kërkohet dhe mos të kthehen në zonat me probleme apo rrisk potencial të lartë.

SHKARKO APP