Heronjtë e heshtur, mjekët tregojnë punën e vështirë pas tërmetit (VIDEO)

Pas tërmetit tragjik, bluzat e bardha u gjendën menjëherë pranë të lënduarve duke dhënë ndihmën e parë. Mjekët janë heronjtë e heshtur të Shqipërisë çdo ditë, por sidomos në ato më vështirat. Të tillë ishin edhe mjekët e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, të cilët me punën e tyre heroike u kujdesën për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit. I gjithë stafi mjekësor dhe infermieror me përkushtimin dhe profesionalizmin treguan gjatë këtyre ditëve në shërbim të të lënduarve nga tërmeti se janë heronj të vërtetë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka publikuar një video në facebook me rrëfimet e mjekëve të Spitalit Universitar të Traumës, për punën e bërë prej tyre në ditët e vështira të pas tërmetit. Mjeku Eduard Rama, në spitali universitar i Traumës, shprehet se pasi ndaloi lëkundja e tërmetit urgjentisht u nis për në spital sepse e dinte që këtu do të kishte raste të paparashikuara.

Mjekja Suela Gjeçi tha se impakti i parë në urgjencë ishte një kaos total , pra kishte vetëm njerëz që vinin të traumatizuar e të trembur. Prof. ass Arben Zenelaj thekson se u arrit që në një kohë shumë të shkurtër të përshtatej infrastruktura me rrethanat që na erdhën. ”Ne prej kohësh kishim krijuar atë që quhet në gjuhën tonë mjekësore korridori sanitar”.

Dr.Vrenoz Hodaj shprehet se brenda 2 orëve të para janë paraqitur një numër mjaft i konsiderueshëm. ”Nëse në ditën e parë janë paraqitur 350 të dëmtuar që morën ndihmën mjekësore në urgjencën tonë, brenda 2 orëve të para kanë qenë 200. Kapacitetet e zgjeruara në çaste dhe hapësirat që ne përdorëm na krijuan lehtësira që të fokusoheshim tek ata që ishin sëmurë rëndë”.

”Më shumë se 900 morën shërbim në spitalet tona nëpërmjet shërbimit kombëtar të urgjencës, tek Truama, në spitalin e Durrësit, në Qendrën Spitalore Universitare ”Nënë Tereza”, ku më së shumti pjesa më e madhe e të lënduarve erdhën në këtë spital për të gjetur këtu kujdesin mjekësor, trajtimin mjekësor më të mirë”,-tha Manastirliu. Në Spitalin Universitar të Traumës, Manastirliu ka falenderuar stafin mjekësor dhe infermieror për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtyre ditëve në shërbim të të lënduarve nga tërmeti.

Krahas ofrimit të kujdesit shëndetësor në të gjitha pikat e emergjencës të ngritura për banorët e prekur nga tërmeti nuk ka munguar ofrimi i kujdesit psiko-social për fëmijët dhe të gjithë banorët që kanë pasur nevojë. Janë më shumë se 1500 fëmijë në këto ambiente që po marrin kujdesin e duhur psiko social nga 300 psikologë dhe punonjës social në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror, Agjensinë e Fëmijëve, Urdhërin e Psikologut, organizatat si UNICEF, Save the Children, World Vision.

SHKARKO APP