Histori Shqiptare/I fejuari i 12-vjeçares: Pse beqar do rrimë ne?! Rritet avash-avash
Historitë Shqiptare nuk kanë të sosur, aq sa me humor por dhe me dhimbje, përballemi me realitete të rënda. E tillë është dhe historia e 12-vjeçares nga fshati Polis Sheh i Librazhdit, që është fejuar nga prindërit me një 24-vjeçar. Kjo histori mori vëmëndje edhe në mediat e huaja, të cilat jo pa të drejtë e cilësuan si një ngjarje aspak normale dhe problematike.
Vetë dhëndri, Alfred Karaj, nga fshati Kaliveç i Gramshit në një intervistë për “Pasdite në Top Channel”, tregon sesi e ka njohur të miturën. “Jemi njohur me mbles. Goca ka rënë dakord, kanë ardhur njerëzit dhe kanë parë, gjithçka në rregull. Kemi bërë marrëveshje”, thotë ai.
Pyetjes nëse ka dijeni se e kap ligji për martesë nën moshën 18 vjeç, Alfredi i përgjigjet: “Pse, do të rrimë beqarë ne?”. Alfredi këmbëngul se vajza është 14 vjeç, duke e konsideruar këtë si moshë më të lejueshme. “E kam pasur një herë vajzën në shtëpi, pastaj e kam çuar prapë lart”, rrëfen ai, duke iu referuar fshatit malor ku jeton nusja e tij 12-vjeçare.
Ai kërkon që të tjerët të mos ndërhyjnë në këtë situatë, sepse gruaja e tij s’ka ankesa për të dhe se është jeta e tyre private. I pyetur nëse 12-vjeçarja e ka marrë e vetme këtë vendim, 24-vjeçari shprehet: “Do të rritet avash-avash”.

