Humbja e Françesk Radit, Zhani Ciko: Nuk pata guxim ta shoh…
Maestro Zhani Ciko ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të kantautorit Françesk Radi pasi ndejti një javë i sëmurë në QSUT për shkak të një hemoragjie cerebrale.
Ai foli nëpërmjet një lidhjeje telefonike për News 24 duke u shprehur i pikëlluar për humbjen e tij.
“Nuk guxova ta shihja. E mora vesh gjendjen e tij. Ishim parë në ambientet e shtëpisë dhe ishim shkëmbyer në shëtitjet e mëngjesit. Më ra si bombë. E kam përjetuar edhe me kolegë të tjerë atë sëmundje dhe nuk mora guximin të shkoja. E lashë Teftën me njerëzit e saj në pritje të një mrekullie. U ndjeva shumë keq kur mora vesh lajmin e ndarjes së tij”,-shprehet Ciko.
Sipas tij, Radi solli një notë të re në podiumin e skenës së muzikës shqiptare.
“Françesk Radi dallohej për individualitetin e tij. Ai hipi në podiumin e muzikës së asaj kohe duke sjellë një notë të re. Një djalë i ndrojtur fillimisht. E karakterizonte modestia por ishte një njeri me karakter, siç e kanë pasur familjarisht. Radi solli një mënyrë tjetër të tregimit të këngës. Ai e konsideronte muzikën e lehtë si një mënyrë shprehjeje të veçantë, si një mënyrë afrimi të spektatorit me festivalin.
Në festivalin e 11-të u godit mënyra e tij që u quajt ndikim i huaj. Por, edhe ku u kthye nga zonat e veriut ai vazhdoi me mënyrën e tij të të kënduarit”,-shprehet ai.

