I ftohti i acartë izolon 30 % të Dibrës

I ftohti i acartë vazhdon të pushtojë Shqipërinë edhe në ditët e fillimit të vitit të ri 2015.

Akulli dhe ngricat kanë krijuar probleme në shumë zona, sidomos në rrugët nacionale ku vazhdohet t’u bëhet apel drejtuesve të mjeteve për shumë kujdes.

Në shumë qytete ka pasur dhe mungesë të energjisë elektrike për shkak të defekteve të shkaktuara nga moti i keq, si dhe mungesë të ujit të pijshëm pasi janë ngrirë tubat.

Në Dibër 30 % e qarkut është izoluar nga bora si dhe kanë mungesë të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm.

Ndërkohë në Pogradec buzë liqenit temperaturat e ulëta kanë krijuar një panoramë fantastike.

Akulli në rrugë ka rënduar qarkullimin edhe pse është hapur bora.

Dibër, temperatura -17 gradë

Në zonat e thella të Dibrës trashësia e borës i kalon 60 cm ndërsa në zonat e thella temperaturat shënojnë – 17 gradë.

I ftohti polar ka ngrirë tubat e ujit të pijshëm duke ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm ndërkohë që në disa zona energjia elektrike mungon që prej 7 ditëve.

Banorët bëjnë apel për ndihmë në furnizimin me ushqime pasi e kanë të pamundur lëvizjen. Disa zona të thella nuk kanë mundur të furnizohen me ushqime as për festat e fundviti.

Aksi Qafë Bualli – Peshkopi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë ndërsa Qafë Bualli- Burrel nuk ka probleme.

Energjia elektrike mungon në mungon në komunën Trebisht, Ostren, Gjoricë,Shupenze, Lurë në kalanë e Dodës, Selishte dhe në të gjithe zonën e Gollobordës.

Kukes, bora deri ne 30 cm

Moti i ftohtë me temperature nën zero ka shkaktuar bllokime të rrugëve dytësore edhe në Kukës. Edhe pse aktualisht reshjet e dëborës kanë pushuar trashësia e dëborës ka arritur në 30 cm.

Më problematike paraqiten rrugët që lidhin fshatrat në zonën e Kukësit të cilat janë pothuajse të pakalueshme ndërsa akset e tjera rrugore janë të kalueshme vetëm me zinxhir.

Disa fshatra në këtë qark vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike që prej disa ditëve sidomos fshatrat që furnizohen nga Dibra.

Probleme me qarkullin janë hasur edhe në Pukë e në Librazhd.

Spektakli ne Pogradec
Përtej të ftohtit në qytetin e Pogradecit ngricat kanë dhuruar një panoramë e cila nuk shfaqej prej shumë vitesh në bregun e liqenit të Pogradecit.

Era e fortë përgjatë këtyre ditëve e shoqëruar me temperatura që gjatë natës shkojne deri në -12 gradë kanë bërë që përgjatë bregut të krijohen stalaktide prej akulli dhe në forma të veçanta. Diçka e tillë për pogradecarët mungonte prej vitesh ndërsa për turistët tashmë bregu ka nisur të shndërrohet në vend pelegrinazhi për të shkrepur fotografi. Ata që këtë vit zgjodhën Pogradecin për të festuar morën me vete edhe këtë panoramë të bukur.

Që prej disa ditëve i gjithë vendi është i përfshirë nga një mot i acartë duke shkaktuar shpesh probleme me qarkullimin.

Sipas parashikimeve temperatuarat disa gradë nën zero do të vijojnë të jenë prezente edhe në ditët në vijim.

SHKARKO APP