I moshuari përfundon i plagosur me thikë në Spitalin e Vlorës, reagon policia
Një i moshuar ka shkuar i plagosur me thikë në spitalin e Vlorës. Ngjarja duket se është një tentativë për vetëvrasje. Të paktën kështu shprehet policia e qytetit bregdetar.
Burimet zyrtare thanë se mëngjesin e sotëm rreth orës 03:30, në Spitalin e Vlorës, ka shkuar i plagosur me një thikë 68-vjeçari me inicialet Ç. F., banues në Vlorë.
Nga hetimet e kryera të policisë, dyshohet se ky person ka qëlluar veten me thikë në ambientet e banesës së tij në lagjen “Isa Boletini” Vlorë.
Gjithashtu, nga deklarimet e familjarëve, dyshohet se ky person e ka kryer aktin në depresion e sipër pasi vuan prej kohësh nga skleroza.
Personi i dëmtuar ndodhet në ambientet e spitalit, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

