Imamët në gjyq, presion dëshmitarit: Do të shihemi jashtë me ty!

E pamundur që të zhvillohen normalisht një seancë gjyqi ndaj të të imamëve të vetëshpallur, të akuzuar për nxitje të terrorizmit. – “Nëse e doni kaq shumë xhihadin, kishit shkuar vetë për luftë në Siri dhe jo të dërgonit babanë tim”.

Me këtë përgjigje, Adriatik Kuçi djali i 61-vjeçarit Mustafa Kuçi për të cilin prokuroria dyshon se është dërguar në Siri nga xhihadistët e pandehur ka ndezur tensionin në sallën e gjyqit.

I riu invalid, i cili sot dëshmoi ndaj atyre që ai i quan fajtorë për largimin e babait drejt Sirisë ka replikuar ashpër me të pandehurit, deri sa u kërcënua në sallën e gjyqit.

“Do të shihemi jashtë me ty”, – i janë kundërpërgjigjur të afërmit e xhihadistëve. Por në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e rendit të cilat për arsye sigurie kanë shoqëruar Adriatik Kuçin deri në banesë.

Një seancë më parë në procesin ndaj 9 xhiahdistëve nën akuzë për nxitje terrorizmi dhe rekrutim xhihadistësh këta të fundit kërcënuan kryesuesen e trupit gjykues Liljana Baku me fjalët, “do t’iu vijë radha dhe juve gjyqtare”.

Por pa dhënë asnjë shpjegim këtë seancë trupi gjykues nuk lejoi mediet në sallë dhe pse gjyqi prej fillimit është vendosur të jetë publik dhe jo me dyer të mbyllura.

Aktualisht ndaj imamëve të vetëshpallur janë zhvilluar 26 seanca ku një dëshmitare e thirrur nga akuza këtë të martë ishte dhe Nazmie Allxhaka, e cila u shpreh se me fjalën “mjekërcjepër” që ajo përdori disa kohë më parë nuk fyen myslimanët pasi atë besim ka edhe vetë, por i drejtohet atyre që nxisin terrorizmin.

SHKARKO APP