
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka zhvilluar një takim me eurodeputetët e Komisionit për Transportin dhe Turizmin të Parlamentit Europian, ku ka paraqitur qëndrimet e opozitës për situatën politike në Shqipëri. Deputetja kërkoi mbështetjen e institucioneve europiane për krijimin e një qeverie tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Dhuna barbare ndaj studentëve dhe situata politike në Shqipëri duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e institucioneve europiane! Në takimin me eurodeputetët, anëtarë të Komisionit për Transportin dhe Turizmin (TRAN) të Parlamentit Europian, i informova për situatën aktuale në vend dhe protestën e jashtëzakonshme të studentëve shqiptarë.
Pas 136 ditësh protestë paqësore, të cilën qeveria e injoroi totalisht, studentët iu drejtuan në mënyrë simbolike me gur institucioneve, por përgjigjja që morën nga shteti ishte dhuna barbare policore. Pamjet dhe dëshmitë për dhunën, me pasoja të rënda fizike, thyerje këmbësh, fraktura dhe dëmtime të syve, janë një kambanë alarmi për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Opozita është në krah të studentëve dhe të protestës së tyre! Kjo është një betejë për dinjitetin, drejtësinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zgjidhja politike që i hap rrugë vendit është krijimi i një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, që garanton standardet demokratike dhe krijon kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.
U kërkova eurodeputetëve mbështetje për përpjekjet tona që Shqipëria të dalë nga kjo krizë politike dhe të ndërtojë institucione që respektojnë standardet europiane, të drejtat themelore dhe vullnetin e qytetarëve. Europa nuk mund të heshtë përballë dhunës ndaj të rinjve që kërkojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre”,-shkroi Zhupa në rrjete sociale.
