Inflacioni shkon në 3,4% në korrik, transporti kryeson rritjen e çmimeve me 8%
Inflacioni u rrit në 3,4% në korrik 2026, nga 2,5% që ishte në të njëjtin muaj të vitit 2025, ndërsa krahasuar me qershorin, çmimet e konsumit u rritën me 0,2%.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, rritja vjetore e çmimeve u ndikua kryesisht nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, me një kontribut prej 1,18 pikë përqindjeje, të ndjekura nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me 0,83 pikë përqindjeje.
Në terma vjetorë, rritjen më të lartë të çmimeve e shënoi grupi “Transporti”, me 8%, pasuar nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me 6%, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,5% dhe “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4,1%.
Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 3,5% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e shtëpisë u shtrenjtuan me 3,3%.
Nga ana tjetër, çmimet e veshjeve dhe këpucëve u ulën me 1,8%, ndërsa grupi “Informacioni dhe komunikimi” shënoi rënie prej 0,9%.
Krahasuar me qershorin 2026, rritjen më të madhe mujore e regjistroi transporti, me 4,7%. Rritje shënuan edhe çmimet e grupit “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0,6%, “Argëtimi, sporti dhe kultura” me 0,4%, si dhe “Mobiliet dhe pajisjet e shtëpisë” me 0,3%.
Ndërkohë, në korrik çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ranë me 0,5% në krahasim me muajin paraardhës.
KOHA JONË SONDAZH

