Integrimi në fokus, Begaj përshëndet rezolutën e Kuvendit: Akt i çmuar i bashkëpunimit parlamentar
Presidenti Bajram Begaj përshëndeti sot miratimin e rezolutës së Kuvendit për procesin e anëtarësimit në BE duke e cilësuar përgjigje të duhur ndaj raportit të progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe ndaj raportit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.
”Kjo rezolutë shënon qasjen e vetme të drejtë: qasjen e bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e këtij objektivi strategjik kombëtar”, shkruan Begaj.
Sipas tij, rezoluta është dëshmi e pakundërshtueshme e një politike serioze dhe të përgjegjshme, të fokusuar plotësisht në agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social. ”Përshëndes këtë akt të çmuar të bashkëpunimit parlamentar”, përfundoi Begaj.
Rezoluta e miratuar pasditen e sotme në Kuvend parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo thekson nevojën për dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, me synim garantimin e një konsensusi kombëtar mbi prioritetet europiane.
KOHA JONË SONDAZH

