INUK vijon operacionin në Hudënisht, pritet shembja e një godine 6-katëshe

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka vijuar sot operacionin për prishjen e një sërë ndërtimesh në zonën turistike të komunës Hudënisht, përgjatë vijës liqenore Lin-Pogradec.

Sipas planit të punës së INUK, në zonë janë rreth 20 objekte që do të prishen, një dhe disa katëshe, sipas një rendi të përcaktuar më parë nga ekspertët e Inspektoriatit.

Vetëm ditën e sotme, janë shembur deri në këto momente katër objekte të përmasave të ndryshme, ndërkohë që pritet shembja me shpërthim të komanduar e një godine gjashtë-katëshe.

Mësohet se do të jenë tre ose katër godina të tilla që do të shemben me shpërthim të kontrolluar në këtë zonë.

Ky operacion do të zgjasë rreth dhjetë ditë dhe në të do të përfshihen mjete të ndryshme të INUK, si dhe forca njerëzore të këtij inspektorati.

SHKARKO APP