“Investim mbretëror” në Burrel/ Rehabilitohet “Geraldina”, lulishtja shqiptare nga më të vjetrat në Ballkan
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për rehabilitimin e sheshit “Ahmet Zogu” dhe parkut “Geraldinë” në Qytetin e Burrelit.
Fondi limit është 114 milionë e 388 mijë lekë ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është 28 prill 2020. Të dy zonat që transformohen kanë rëndësi historike.
Referuar dokumenteve të tenderit, lulishtja “Geraldinë” konsiderohet një nga lulishtet më të vjetra në Ballkan.
Sipërfaqja e parkut është afërsisht 30000 m2, në të cilin përfshihen një Xhami, një bar privat, Pallati i Kulturës së Burrelit.
Parku “Geraldinë” është në gjendje të mirë, gjithsesi në brendësi të tij ka disa zona dhe pasazhe të brendshme të cilat janë të dëmtuara të cilat kanë nevojë për rehabilitim. Gjithashtu ka zona të cilat duhet të ridizenjohen.
Rikonceptimi i sheshit përpara bashkisë së qytetit. Ky shesh ka një sipërfaqe afërsisht 4900m2. E gjithë kjo zonë është e shtruar me asfalt. Kjo zonë duhet të marrë në konsideratë nevojat e bashkisë siç janë rruga hyrëse për në Bashki, zonë për parkimin e makinave të administratës .
Ky shesh gjithashtu në raste të caktuara duhet të konceptohet që të përdoret për aktivitete të ndryshme artistike që do të zhvillohen në qytet.
“Në vitin 1936 në qytetin e Burrelit, përveç godinave përreth u projektua edhe Parku Geraldinë, por në mungesë të fondit financiar punimet për të nisën në vitin 1938 me një financim të Mbretëreshës Geraldinë nga fondi i saj personal në respekt të bashkëshortit të saj.
Për të u harxhuan 73 mijë franga ari. I vendosur në pjesën lindore të qytetit, pas godinës së Bashkisë ka një sipërfaqe prej 30.292 m². Sipërfaqja ku është ndërtuar ky park mendohet të ketë qenë një vendbanim i lashtë Ilir.
Lulishtja është ndër më të vjetrat në Ballkan. Sipas të dhënave që disponohen për historikun e kësaj lulishtjeje, ajo daton që në vitet e para të mbretërisë së Zogut.
Vetë Mbretëresha Geraldinë, ishte inisiatore për krijimin e kësaj lulishtjeje, bazuar mbi planimetritë më të zhvilluara të Europës së asaj kohe, duke e pasuruar atë me shkurret dhe drunjtë nga më të rrallët dhe më ekzotiket. Aty gjendet pisha argjentinase një pemë e rrallë ashtu si edhe disa pemë të tjera.
Sipas dëshmive të disa të moshuarve, familjarë të ish-punonjësve ushtarakë pranë mbretërisë, në kohën e regjimit të saj, kjo lulishte frekuentohej shpesh edhe nga mbretër dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme të botës, ku relaksoheshin dhe iknin prej saj me mbresat më të mira.
Edhe sot kjo lulishte vijon të mirëmbahet dhe të konkurojë denjësisht simotrat e saj në Shqipëri” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Sheshi para Bashkisë “Ahmet Zogu”, qendër administrative që prej vitit 1922, ka një sipërfaqe prej 4.900 m2. Kjo sipërfaqe është asfaltuar që prej vitit 1986 dhe që atëherë nuk ka pasur më asnjë investim. Godina e Bashkisë gjendet Brenda sipërfaqes së parkut dhe sheshi. Ambjentet e brendshme vazhdojnë të jenë të njëjtat që prej kohës së ndërtimit të kësaj godine vitit 1936.
“Rehabilitimi i sheshit “Ahmet Zogu” dhe i parkut “Geraldine” prezantohet si një projekt mjaft i rëndësishëm pasi ato bëjnë pjesë në zonën historike të qytetit të Burrelit.
Ky shesh është mjaft i rëndësishëm pasi përbën një vend ku mund të takohen qytetarët e Burrelit e më tej mund të vazhdojnë itinerarin e tyre shplodhës ose argëtues drejt parkut “Geraldine”.
Parku dhe sheshi janë tepër domethënës për qytetin, jo vetem për elementet historik që paraqiten në to, por edhe për pozicionin e tyre, pasi janë në komunikim të fortë me ndërtesat dhe rrugët me të cilat kryqezohen.
Sheshi “Ahmet Zogu” përbën në të vërtetë qendrën e qytetit të Burrelit dhe në të ndodhen ambientet më të rëndësishme administrative, ndërsa brenda perimetrit të parkut “Geraldine” ndodhet dhe pallati i kulturës dhe xhamia, ndërtesë shumë e rëndësishme për jetën kulturore të qytetit.
Pra pozicioni dhe hierarkia institucioneve që ndodhen në këtë zonë e detyron një restaurim të shpejtë të sheshit dhe të parkut që prezantohen aktualisht në një situate të degraduar.
Pas disa propozimesh dhe alternativash u perqafua një zgjidhje që perfshinte më së miri kërkesat e bashkisë dhe nevojat e qytetarëve.
Pikërisht lidhja e sheshit me parkun dhe pozicioni i tyre në një fund të aksit kryesor buzë se cili zhvillohet organizimi i qytetit e kushtezojnë mjaft fortë zgjidhjen arkitektonike të propozuar.
Kthimi i sheshit në hapësirë kryesisht për këmbësore dhe trajtimi i tij me materiale lokale është një ndërhyrje që do të përmirësojë panoramën e përgjithshme të sheshit dhe të qytetit në vetvete.
Kjo ndërhyrje prezantohet delikate pasi ajo nuk ndërhyn në konturet dhe bordurat aktuale të sheshit, por ajo do të zhvillohet brenda perimetrit të saj. Kjo është arsyeja përse sheshi do të trajtohet me një përqasje që dallon nga pjesa tjetër e projektit.
Projekti propozon shtrimin me gurë lokal të sheshit dhe restaurmin e pjesshëm të rrugicave të parkut. Përsa i përket sheshit aty do të propozohet një organizim i ri duke respektuar kufijt dhe volumet eksistues.
Ndërhyrjet restauruese në park propozohet të jenë në të njëjtën gjuhë me projektin origjinal, të mos bëhen propozime të reja, kështu të ruhet bukuria fillestare e këtij parku.
Për këtë arsye ky projekt do te ishte tepër i pa kontestualizuar nëqoftëse nuk do të kishte një përqasje me të njëjtën gjuhë materialesh, atmosferash dhe panoramash gjithmonë në harmoni me kërkesat e paraqitura nga bashkia.
Lëvizja e automjeteve në këtë hapesirë do te jetë fortësisht e kufizuar, domethenë do të mund të hyjnë vetëm mjetet në rast të urgjencave dhe makinat e punonjësve të bashkisë.
Lëvizshmëria e automjeteve në shesh dhe në park do te jetë e kontrolluar nga ndalesa të lëvizshme të konceptuara në elemente betoni” shkruhet më tej në dokumentet e tenderit.
SCAN