Investimi në Lekaj të Rrogozhinës, Manastirliu: Plani për infrastrukturën arsimore, përfundojnë 100 shkolla
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit në këtë shkollën 9-vjeçare në Lekaj, Rrogozhinë, tha se kjo shkollë e re do ofrojë shumë shpejt një mjedis arsimor me standarde bashkëkohore për mbi 120 nxënës të kësaj zone.
“Gjatë vitit 2024, me mbështetjen e fondeve nga buxheti i shtetit, ne parashikojmë të përfundojmë rindërtimin e 30 shkollave. Po ashtu, kemi lançuar thirrjen prej 1.3 miliardë lekësh për bashkitë, të cilat do të aplikojnë përmes projekteve që përputhen me nevojat e tyre lokale dhe me planin organizativ të MAS për infrastrukturën dhe objektet arsimore. Kjo iniciativë do të na mundësojë të nisim punën në kantiere të reja që nga ky vit dhe të vazhdojmë me programin e rindërtimit të shkollave. Përmes programit të rehabilitimit të MAS dhe programit të rindërtimit ne përfundojmë brenda vitit 2024, mbi 100 shkolla të rindërtuara”, tha nga shkolla Lekaj në Rrogozhinë Ministrja, Manastirliu.
Pjesë e programit të rindërtimit dhe rehabilitimit të shkollave, është edhe ngritja e laboratorëve shkencorë, smartlab dhe ambienteve sportive, duke përfshirë edhe palestrat. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, vuri theksin te rëndësia e praktikës mësimore përmes laboratorëve shkencorë.
“Do të shtohen 216 smartlab, ndërkohë që do të vijojmë në 100 shkolla pajisjen me laboratorët e shkencave, kimi, fizikë dhe matematikë. Do të vijojmë të sigurojmë bazën materiale, bazën didaktike për këta laboratorë, në mënyrë që i gjithë procesi mësimor të kryhet sipas standardeve. Ne duhet të synojmë shumë te praktika, pra të laboratorët e shkencave nëpër shkolla që jo vetëm duhet të përmirësohen por edhe duhet të zgjerohen për të arritur atë standard që ne duam dhe për të rritur cilësinë e edukimit në shkollat tona”, tha Manastirliu.
Ministrja Ogerta Manastirliu veçoi punën që po bëhet në koordinim me bashkitë dhe të gjithë aktorëve institucionalë në territor, për rritjen e numrit të shkollave të bashkuara dhe unike, si dhe uljen e numrit të klasave kolektive për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Kjo përfshin zgjerimin e hapësirave dhe klasave në shkolla, për të plotësuar nevojat e komuniteteve lokale.
Këto investime do të sigurojnë që shkollat tona të ofrojë një mjedis arsimor bashkëkohor dhe stimulues, i cili nxit zhvillimin e aftësive shkencore dhe fizike të nxënësve.