Ish-ambasadori John Withers, viziton Shqipërinë 3 vjet pas largimit

 

Ish-ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Withers, zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Vlorës, ku kthehet pas një periudhe 3-vjeçare.

Por këtë radhë, si një qytetar amerikan, që vjen në qytetin me të cilin e lidhin kujtime, por edhe një element i veçantë e simbolik, titulli “Qytetar Nderi i Vlorës”, që atij iu akordua në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Edhe takimi dhe bashkëbisedimi që zhvilloi me kryebashkiakun Dritan Leli, ravijëzohej në këtë kornizë.

“Ju kam ndjekur me interes, e kam ndjekur karrierën tuaj dhe ju vlerësoj, ashtu siç shpreh vlerësim për zgjedhjen tuaj në krye të Bashkisë së Vlorës”, u shpreh Withers, duke iu drejtuar kryebashkiakut Leli.

Por në këtë linjë ka qenë edhe përgjigja e Lelit: “Për cilindo kryetar bashkie do të ishte nder që t’ju shpallte “Qytetar Nderi”, citoi mes të tjerash ai.

Në bashkëbisedimin që zgjati më shumë se një orë në zyrën e kreut të bashkisë, u diskutuan probleme që lidhen me qytetin, me të shkuarën dhe të ardhmen e tij, me ngjarjet më të fundit, ku përfshihet edhe përmbytja e pak ditëve më parë.

Ish- ambasadori i SHBA-ve shprehu keqardhjen e tij për përmbytjen e qytetit, duke inkurajuar kyebashkiakun Leli për të kapërcyer sa më shpejtë pasojat e kësaj ngjarjeje.

Më pas, gjatë një komunikimi me shtypin, Withers theksoi se ndodhet për një vizitë krejt private në Shqipëri dhe arsyet e vizitës nuk kanë të bëjnë aspak me politikën.

“Po vizitoj Vlorën sot, sepse shqiptarët kanë një vend të veçantë në zemrën time dhe veçanërisht një vend të veçantë kanë qytetarët e Vlorës, bashkëqytetar të së cilës unë e konsideroj edhe veten”, u shpreh ai.

Për të, tre vjet është një kohë e gjatë për të ndenjur larg Shqipërisë.

“Tani që jam ish-ambasador dhe që kam dale në pension shpresoj të vizitoj më shpesh Shqipërinë. Dhe sa herë të vij në Shqipëri, do të vizitoj Vlorën”, citoi ai.

Si dikur, kur kryente funksionet e ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Withers përcolli mesazhet e veta përmes gjuhës së metaforës.

 “Unë dëgjova sot një fjalë të urtë shqiptare. Ishte kryetari i bashkisë që e ndau atë me mua. “Festen sipas kokës“, është kjo fjalë e urtë. U duk si një filozofi mjaft e mirë, me të cilën jeton jetën personale dhe u ndjeva shumë mirë kur e dëgjova. Sepse jetojmë të gjithë si individë të veçantë. Që do të thotë se, secili prej nesh gjykohet për veprën e tij”, u shpreh Withers.

SHKARKO APP