Izraeli njoftoi për një ofensivë të re në veri të Gazës

Ushtria izraelite njoftoi për operacionin e ri, por nuk e specifikoi se kur do të fillojë zhvendosja e palestinezëve nga veriu për në jug të Rripit të GazësFotografi: Amir Cohen/REUTERS

Ushtria izraelite njoftoi se përpara se të nisë një ofensive të re për të vënë nën kontroll veriun e Qytetit të Gazës do të zhvendosë palestinezët që jetojnë atje në jug të Rripit të Gazës.

Agjencia ushtarake izraelite Cogat, e cila është përgjegjëse për çështjet civile në territoret palestineze, njoftoi se dërgimi i çadrave dhe i shatoreve në jug të Rripit të Gazës do të rifillojë gjatë të dielës së sotme (17.08.).

Cogat tha se pajisjet e strehimit do të transportohen në Gazë përmes pikës kufitare Kerem Shalom nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës pas inspektimit nga personeli i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Qyteti i Gazës ishte qendra urbane më e populluar e enklavës palestineze deri në momentin që shumica e popullsisë së tij u zhvendos gjatë ofensivës së Izraelit.Fotografi: Mahmoud Issa/REUTERS

Ushtria izraelite nuk e specifikoi se kur do të fillojë zhvendosja e palestinezëve. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se “tani jemi në fazën e diskutimeve për të finalizuar planin për të mposhtur Hamasin në Gazë”. Forcat izraelite kanë shtuar operacionet në periferi të qytetit të Gazës, përfshirë edhe zonat Zeitoun dhe Shejaiya.

Swiss Digital Mobile Reklama

Netanjahu: Zhvendosje në “zona të sigurta”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se palestinezët do të zhvendosen në vende që ai i quajti si “zona të sigurta”. Ai gjithashtu tha se Qyteti i Gazës është bastioni i fundit të grupit militant Hamas.

Qyteti i Gazës ishte qendra urbane më e populluar e enklavës palestineze deri në momentin që shumica e popullsisë së tij u zhvendos gjatë ofensivës së Izraelit.

Grevë e përgjithshme

Gjatë të shtunës në Izrael pati sërish demostrata, ku u kërkua një marrëveshje që çon në përfundimin e luftës dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe që qeveria izraelite të mos pushtojë më asnjë territor në Rripin e Gazës. Për sot një grup që përfaqëson familjet e pengjeve që mbahen në Gazë, bëri thirrje për grevë të përgjithshme .

Familjet e pengjeve kanë bërë sërish thirrje për protestaFotografi: Jack Guez/AFP

Gjatë sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 u morën peng rreth 251 vetë. Sipas autoriteteve izraelite 20 nga 50 pengjet e mbetura në Gazë janë ende gjallë. Prej sulmeve të Hamasit u vranë rreth 1,200 vetë, shumica e tyre civilë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, gjatë ofensivës së Izraelit në Gazë, e cila nisi pas sulmeve të Hamasit, janë vrarë mbi 61.000 palestinezë. Por sipas hulumtimeve të pavarura numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?