Ja kush po pasurohet nga përmbytjet

 

Reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë dramatike në zonat jugore të Shqipërisë, pasi vërshimi i ujërave të lumenjve ka detyruar qindra familje të braktisin shtëpitë e tyre të përmbytura. Dëmet materiale të shkaktuara nga përmbytjet janë të konsiderueshme, me fshatra të tërë nën ujë, qindra krerë bagëti të mbytura dhe fusha me të mbjella të shkatërruara. Megjithatë, shirat e dendur kanë dhe një aspekt pozitiv. Reshjet kanë përmirësuar situatën hidrike në digat e hidrocentraleve të Korporatës Elektroenergjitke Shqiptare, KESH, duke rritur mundësinë e saj për gjenerimin e energjisë elektrike.

 

Por duket se taksapaguesi shqiptar, përfshirë edhe familjet e përmbytura, nuk do të përfitojnë të shumë nga rritja e prodhimit në hidrocentrale. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare KESH, e cila menaxhon prodhimin e hidrocentraleve nën pronësi publike, ka vendosur që energjinë e tepërt ta shesë me tender. Ndërkohë, kompania OSHEE, e cila gjithashtu është nën pronësi publike, ndryshe nga KESH, nuk ka tepricë energjie por deficit. Asaj i duhet të blejë energji, gjithashtu me tender. Problemi është se në tenderat e fundit të zhvilluara nga dy kompanitë publike, kanë marrë pjesë të njëjtat kompani private, të cilat, nga njëra anë kanë blerë energjinë e prodhuar shtesë nga KESH dhe nga ana tjetër i kanë shitur energjinë e munguar OSHEE-së. Vetëm se mes dy tenderëve ka një diferencë jo të vogël në çmim.

Në tenderin e mbajtur të hënën me 2 shkurt, KESH sh.a ka nxjerrë në shitje 127,620 MWh elektricitet, për periudhën 4-28 shkurt 2015, i cili i është shitur në dy lote gjashtë kompanive, kur përfshihen GEN-I Beograd dhe GEN-I Athens, GSA Sh.p.k, Axpo d.o.o Beograd, EFT A.G dhe Danske Commodities Albania sh.p.k. Çmimi i shitjes së energjisë për MWh ka variuar nga 36.93 euro në 43. 39 euro, për një vlerë totale prej 4,88 milionë euro. Çmimi mesatar për MWh i shitjes ka qenë 38.47 euro.

Pak ditë para se KESH të shitste, për të njëjtën periudhë kohore, OSHEE ka blerë 188,160 MWh, nga kompanitë AXPO d.o.o Beograd, ANTIX sh.p.k, GEN-I Tirana sh.p.k; GSA shpk dhe EFT AG, për një vlerë totale prej 10,75 milionë euro. Çmimi mesatar i importit të OSHEE ka qenë 57.12 euro, ose 18.65 euro më i shtrenjte se çmimi i eksportit të KESH sh.a.

SHKARKO APP