Ja kushtet që duhet të plotësojnë makinat e para 2005-ës për të lëvizur në rrugë
Mbi 60% e makinave në vendin tonë i përkasin vitit të prodhimit para 2000, duke u bërë edhe shkaktarët kryesorë të ndotjes së mjedisit. Eksperti i Ministrisë së Transporteve, Maksim Tashi, ka deklaruar se vetëm në vitin 2016, mbi 30 mijë automjete kanë mbetur në testin e shkarkimit të gazeve, numri më i lartë i të cilave janë makinat me benzinë. Vetëm në vitin 2016, ngelën në kolaudim 30.827 mjete.
Në një prononcim për “Gazetën Shqiptare”, Maksim Tashi thotë se sipas një projekt-akti që po diskutohet nga Ministria e Mjedisit dhe e Transportit, do të lejohet të importohen në vendin tonë vetëm mjetet motorike, të reja dhe të përdorura që plotësojnë standartet Euro 4 dhe Euro 5 të shkarkimeve në ajër.
Makinat e përdorura që do të importohen do të duhet të plotësojnë standartin Euro 4, ndërsa ato të reja duhet të jenë me standartin të paktën Euro 5.
Sa i përket automjeteve të vjetra, Ministria e Transporteve sqaron se ato nuk do të dalin nga qarkullimi, po do t’u lihet kohë që të përshtaten dhe kjo gjë nuk pritet të ndodhë në 2017, por gradualisht. Makinat me standardin Euro 1( viti i prodhimit ’93) dhe Euro 2( Viti i prodhimit’93-97) duhet të marrin masat për standardin Euro 3.

