Jahti luksoz i miliarderit kinez mbërrin në Durrës
Një nga superjahtet më të mëdha dhe më luksoze në botë, M/Y Deep Blue, ka mbërritur në Portin e Durrësit, sipas informacionit të raportuar.
Jahti, i ndërtuar nga gjiganti gjerman Lürssen dhe i dorëzuar në vitin 2026, është rreth 137 metra i gjatë, mban flamurin e Ishujve Kajman dhe ka numrin IMO 9950686.
Pronari i raportuar është miliarderi kinez Richard Qiangdong Liu, themeluesi i gjigantit të tregtisë online JD.com. Vlera e superjahtit vlerësohet rreth 450 milionë dollarë.
Deep Blue ka kapacitet për rreth 24 persona, ndërsa ekuipazhi përbëhet nga rreth 45 anëtarë. Jahti është i pajisur me ambiente luksoze, përfshirë pishina, helipad, spa, palestër, kinema dhe ambiente argëtimi.
Sipas informacionit të raportuar, jahti pritet të furnizohet me rreth 300 mijë litra karburant. Nëse mbi këtë sasi aplikohet një taksë prej 0.40 euro për litër, të ardhurat për shtetin shqiptar do të arrinin në rreth 120 mijë euro.
Mbërritja e një jahti të përmasave të tilla në Durrës sjell jo vetëm të ardhura nga furnizimi, por edhe shpenzime të mundshme për shërbime portuale, ekuipazh, furnizime dhe shërbime të tjera gjatë qëndrimit.
Deep Blue është ndër superjahtet më të mëdha të ndërtuara nga Lürssen në vitet e fundit dhe ka tërhequr vëmendje të madhe gjatë lëvizjeve të tij të para në Mesdhe. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se jahti ka lundruar gjatë muajve të fundit në Adriatik dhe Mesdhe.
KOHA JONË SONDAZH

