Jeta e Katerinës

Nga Mimoza Dajçi (New York )
 Jeta e Katerinës është e trishtë dhe shumë e dhimbshme. Me Katen, siç e njohim shkurt, jemi veprimtare të organizatës së gruas “Hope & Peace” në New York, por së bashku kemi miqësi të vjetër qysh në Shqipëri, pranë Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike. Katja rrjedh nga një familje patriotësh të persekutuar politikë nga rregjimi komunist. Në vitin 1945 i pushkatojnë pa gjyq të atin, Gjergj Cima Maçin, vet i dytë. Ishte koha kur ish partizanët dhe komunistët e zonës Pulti në Xhan të Dukagjinit, i bënin thirrje popullit të dorëzojë armët. Mbas Meshe në Kishë, ata që kishin armë i dorëzuan, mes tyre edhe i ati i Kates dorëzoi një revolver të prishur.

– Me kë tallesh ti – i thotë i plotëfuqishmi i zonës – nuk e shikon që kjo pistoletë nuk punon? – dhe e ofendoi rëndë.

Aq u desh dhe malësori krenar nuk e duroi dot fyerjen, e godet me grusht në fytyrë. Gjergj Cimën e arrestojnë, e mbajnë një javë të izoluar nën tortura të tmershme në një shtëpi të improvizuar si burg, e pas gjashtë ditësh në të gdhirë e pushkatojnë së bashku me një kundërshtar tjetër të rregjimit. I ati Kates, Gjergji ishte rritur jetim dyerve të botës, kur ai ishte vetëm 4 vjeç i kishin vdekur të dy prindërit nga malarja.

Për familjen Cima filloi kalavari i vuajtjeve të mëdha. Roza, nëna e Kates e cila mbeti e ve me 6 fëmijë të vegjël, 4 djem e 2 vajza nuk kishte të ardhura të mjaftueshme të ushqente fëmijët me bukë, detyrohet dy prej vocërrakeve ti lerë në shtëpinë e fëmijës. Katja 7 vjeç dhe vëllai i saj Koleci 5 vjeçar, u rritën mes lotësh e dhimbjesh me jetimorët e gjorë.

Vitet kaluan, ngjarje të reja rodhën edhe për Katen, të cilën nëna dhe vëllezërit e martojnë me Dedë Lulin, djalë patriot e punëtor ngjitur me fshatin e saj. Familja e re vendoset në Laç të Krujës, ku shtohet me një djalë, Kastriotin. Deda siç ju tregova ishte shumë punëtor, njeri i përkushtuar për familjen dhe mekanik i zoti për rregullimin e makinave. Sigurimi shtetit ja vuri syrin për ta bërë bashkëpunëtorë të tij. Një herë dy, tentuan, por aha, asnjë përgjigje pozitive nuk morën prej tij.

Një ditë prej ditesh Deda arratiset. Të shoqes së tij nuk i tregon planin që kishte në kokë së bashku me dy miqtë e tij. I thotë se, do të shkojë për disa ditë në fshat tek daja i sëmurë. Katja ishte në gjumë, djali i vogël po ashtu, kur organet e sigurimit gati sa nuk i shqyen derën e shtëpisë dhe hyn brenda për kontroll. Katen e bombarduan me pyetje e fyerje të rënda, ndërkohë që ajo ishte shumë e re në moshë e nuk kishte dijeni fare se çfarë kishte ngjarë. I shoqi i kishte thënë në besim të plotë se sigurimi do që, ta rekrutojë, por nuk mundem ta bëj një gjë të tillë i kishte thënë ai së shoqes. Nuk mund të bëhem spiun i njerëzve të mi, komshive miqve e farefisit, më mirë pranoj plumbin, se sa të bëhem spiun. Po të refuzonte hapur Deda rrezikonte 20 vite burgim. Pranon arratisjen dhe nuk bëhet spiun, por pasojat do ti hiqte familja, gruaja dhe djali i vogël.

Bëjnë ç’bëjnë një prej vëllezërve të Kates ish i burgosur politik në Spaç, Koleci i thotë një mikut të tij të mirë Nikollës, që kur të dilte nga burgu ti propozonte për martesë motrës së tij. Bashkë burgu i kishte lidhur e kishin parë tek njeri tjetri një miqësi të mirë e të sinqertë. Nikolla dilte pas një jave nga burgu, pas një dënimi 10 vjeçar si “spiun i jugosllavëve” dhe “armik i popullit”. Vëllai Kates pa tek ky i ri cilësitë e një malësori trim e të dhimbsur për njerëzit. Kur Nikollën e arrestuan, ai ishte fare i ri vetëm 18 vjeç. Nikolla ishte arratisur nga Mali Zi me disa shokë të tij, por përfunduan në duart e egra të sigurimit shqiptar dhe dënohet me 13 vjet heqje lirie. Në Shqipëri nuk kishte asnjë nga familja. Kur të dilte nga burgu nuk kishte derë ku të trokiste. Koleci, vëllai i Kates, meqë kishte vite që kishte ndarë çapën e bukës me atë dhe e njihte mirë, i afroi këtë propozim për motrën e tij, tashmë të divorcuar nga i shoqi, dhe që jetonte me djalin akoma në Laç të Krujës.

Dera e Kates troket, mysafiri i paftuar i tregon se kush ishte dhe i zgjat letrën e të vëllait. Katja pasi e dëgjon e dërgon menjëherë tek vëllai i madh Nikolla dhe nëna e saj. Pas bisedash të gjata familja e Kates mendojne dhe vendosin se do të jetë më mirë nëse ajo martohej me këtë njeri të mirë e të vuajtur sikurse dhe familja e tyre, aq më tepër që e kishte rekomanduar vëllai i tyre, Koleci.

Katja si përfundim në pranverën e 74′ lidh kurorë me Nikollën, i biri që në atë kohë ishte vetëm 3 vjeç, e quante Nikollën babë dhe ai bir. Në vitin 1991 Katja së bashku me të shoqin marin një vizë tre mujore për në Mal të zi, për tek familja e Nikollës, i cili kishte 35 vite pa parë njerëzit e tij. Djalin e vetëm që kishin (17 vjeçar) e lenë tek vëllezërit e Kates.

Nikolla mëson në vendlindje se i kishte vdekur e ëma, pikëllohet e qan nën zë. Jeta luftë, por nuk kishte çfarë të bënte. Aty i paraqitet një rast për të marë vizë amerikane. Shfrytëzon momentin, hyn së bashku me Katen në Ambasadën Amerikane ku u njihet statusi i azilantëve politikë, e pas gati një viti arritën në New York, ku Katja jeton edhe sot. Jetuan për disa vite së bashku, u vjen edhe i biri Kastrioiti, por në vitin 1997 pas një ataku në zemër Nikolla ndëron jetë.

Kastrioti njihet me një vajzë italiane, jetojnë së bashku në Belgjikë. Jeta rrodhi e tillë dhe Katerina Cima jeton vetëm në New York, rrethuar me shumë dashuri nga mikeshat e kushërirat e saj. Eshtë një grua fisnike dhe shumë mikëpritëse. Të gjithë e duan dhe e respektojnë. Dera e saj është kurdoherë hapur për njerëz të mirë.

*    *   *

Dedë Luli, pas arratisjes nga Shqipëria më 22 prill 1972, nëpërmjet Greqisë mbërin në Australi, ku një mik i tij e sistemon me punë e shtëpi. Me ardhjen e parë të tij në Shqipëri kërkon të takojë të birin, me të cilin kalon disa ditë nëpër atdhe, e më pas e mer me vete disa muaj në Austriali. Kur e takon të birin pas 16 vitesh e pyet:”I kujt je ti more djalë”. Kastrioti i vendosur i përgjigjet: “I Dedë Lulit”.

Sipas Kates faji i vetëm i Dedës ishte se ai, nuk i tregoi asaj që kishte planifikuar arratisjen. Djali, Kastrioti pregatitet të shkojë me bashkëshorten në Austraili, aty ku i jati i ka afruar shtëpi, e një jetë më të mirë e më të rehatshme, falë punës së tij e duarve të tij të arta si mekanik makinash.

Ndërsa Koleci vëllai Kates, pasi vuajti dënimin si “armik i popullit” në burgjet Burrel e Spaç, me krijimtarinë e tij letrare hodhi dritë mbi vuajtjet e shtresës ish të persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri, veprat e tij më të spikatura janë: “Përbindshja”, “Jashtë Parajsës”, etj. Ndërsa vajza e Kolecit, Rozana ish kompione e shahut për vitin 1978, sot është avokate e zonja dhe nderuar në Shqipëri.

SHKARKO APP