Kancelarja gjermane Merkel përsëri në zenit

Respekti për Angela Merkelin po shtohet vazhdimisht. Për revistën londineze "Times" ajo është "Personi i Vitit". Për revistën amerikane "Time" një prej njëqind njerëzve më me ndikim në botë.

Ajo është top femër. Pothuajse tradicionalisht Angela Merkel kryeson në anketime listën e politikanëve më të rëndësishëm gjermanë. Në partinë e saj ajo është aq e pakontestueshme sa herë pas here duket si monarke e CDU-së. Gjithnjë e më shpesh kancelarja vlerësohet edhe në nivel ndërkombëtar. Kohët e fundit, revista londineze "Times" e shpalli personin e vitit. Një nderim pikërisht nga Britania aq euroskeptike për kancelaren aq të përkushtuar për Evropën.

Viti 2014 e njohu kancelaren në politikën e brendshme përsëri si kryesuese të koalicionit të madh. Në skenën ndërkombëtare qe kriza shumë serioze dhe me faza dramatike në Ukrainë që e nxori Merkelin solli në një rol të ri. Asnjë drejtues tjetër i shteteve perëndimore, dhe asnjë zyrtar i lartë i BE-së nuk ka qenë dhe është në këtë çështje kaq shpesh në kontakt telefonik me presidentin rus Vladimir Putin, me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe me presidentin amerikan Barak Obama. Shumë herë zëdhënësit e qeverisë kanë botuar disa rrjeshta të thatë për biseda të tilla telefonike, që me siguri nuk kanë qenë kurrë rutinë.

Që në disa mbledhje të nivelit të lartë – si p.sh. në mes të janarit në kryeqytetin e Kazakistanit Astana – bashkë me të ishte dhe presidenti francez, nuk e pakëson rëndësinë e kancelares dhe të ministrit të Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, që është po aq i dedikuar sa ajo. Jo, evropiania Merkel ka me ndërgjegje në anën e saj partnerë të sprovuar. Në grupin e vendeve të industrializuara, G7, ajo është me rreth nëntë vjet në pushtet, më e vjetra në post. Dhe po ashtu edhe njëra që e njeh mënyrën ruse të të menduarit dhe shpirtin rus më mirë.

Dhe pikërisht për këtë e vë theksin tek një qëndrim i njësuar i evropianëve. Askush nuk e di ende se ku mund të çojë politikisht kriza në Ukrainë. Ndoshta në retrospektivë diplomacia e Merkelit për krizën e vitit 2014 është e barabartë me menaxhimin e ethshëm të krizës pas shpërthimit të krizës financiare gjashtë vjet më parë.

Në atë kohë ajo ishte për Gjermaninë e fortë financiarisht, tani ajo është për një Evropë të bashkuar. "Ajo është politikania më e shquar në Evropë," e argumenton "Times" shpalljen e saj si "Personaliteti i Vitit". Viti 2014 tregoi se Angel Merkel ka dhe për detyra apo pozicione në skenën ndërkombëtare, qoftë në Bruksel apo në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork, vendosmërinë dhe integritetin e një diplomateje.

Po në skenën e brendshme? Një buxhet federal pa borxhe të reja, suksese në fushën e punësimit, ekonomia si motor – edhe këto flasin për aftësinë politike të Merkelit. E megjithatë, fjalët e një prej kolegëve të saj konservatorë, i cili para një viti ishte ministër në kabinetin e saj, bën të qartë se në radhët e CDU/CSU-së ka një pakënaqësi të zbehtë.

Politikani i CSU-së Hans-Peter Friedrich, i cili humbi postin si ministër i Bujqësisë në muajin shkurt për shkak të çështjes Edathy, mbeti shpejt vetëm me kritikën e tij, që Merkeli duhet të tregojë më shumë profil në politikën ekonomike dhe në çështjet konservative. Kjo kritikë është e pamundur, se në kongresin e CDU-së në fillim të dhjetor në Këln pjesëmarrësit e duartrokitë rreth dhjetë minuta me radhë kryetaren e partisë Merkel, sikurse ajo mori dhe një inkurajim të fortë pak ditë më vonë në kongresin e partisë CSU. Duartrokitje rekord.

Megjithatë është aq e qartë se bashkimi CDU/CSU po dobësohet në gjerësinë e politikës gjermane. Jo në qeverinë federale, por në landet dhe në qytetet e mëdha. Dhe për këtë, dikur drejtuesja e partisë do të duhet të marrë përgjegjësinë. Viti 2015 është vit tranzicioni. Por në vitin 2016 fillon një maratonë zgjedhore: zgjedhjet në pesë lande, fillimisht në Rheinland-Pfalz dhe Baden-Württemberg, dhe pak para zgjedhjeve federale zgjedhje dhe në tre lande të tjera. Në zgjedhjet në lande merret vendimi paraprak për formën e ardhshëm të pushtetit të CDU-së të Angela Merkelit. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe duartrokitësit në kongreset e partive. Ata i kanë shpresat te Merkeli. Megjithatë edhe një "politikane e shquar e Evropës" ka nevojë fillimisht për mbështetjen e bazës së partisë së saj.

SHKARKO APP