Kandidatja e PS në Elbasan, Aulona Bylykbashi: “Votojmë për vazhdimësinë dhe zhvillimin”

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në listën e hapur, Aulona Bylukbashi, vijon takimet me qytetarët në rajonet ku është caktuar të përfaqësojë në Kuvendin e ardhshëm. Një nga ndalesat e fundit ishte lagjja Fushë Mbret në Elbasan, ku u prit me ngrohtësi nga banorët dhe mbështetësit e saj.
Në fjalën e saj, Aulona theksoi se lagjja Fushë Mbret ka qenë një nga surprizat më të bukura në këtë rrugëtim elektoral. Ajo vlerësoi përkushtimin dhe shpirtin punëtor të banorëve dhe premtoi se do të jetë zëri i tyre në Kuvend.
“Ekipi dhe unë do të jem njëra prej jush, që bashkë do të bëjmë rrugëtimin drejt fitores historike të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës më 11 maj. Si përfaqësuese e tre rajoneve, dua të theksoj se Fusha e Mbretit është një lagje që ka shumë zemër dhe energji pozitive. Ka ende shumë për të bërë. Kemi nisur me investimet në rrjetin e ujësjellësit, në infrastrukturë rrugore, ndriçim e KUZ, dhe do të vazhdojmë me përkushtim gjatë katërvjeçarit të ardhshëm”, u shpreh Aulona.
Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë që do të kenë fondet europiane në rrugën drejt integrimit të vendit, duke theksuar se çdo projekt i ri do të ketë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe infrastrukturës së qytetit.
“Si kandidate e kësaj lagjeje, do të jem zëri juaj kryesor në Parlament për çdo çështje që lidhet me infrastrukturën, shërbimet, dhe mirëqenien e familjeve tuaja. Më 11 maj, ftoj të gjithë të votojmë bashkë për Shqipërinë Europiane, për të ardhmen tonë dhe për Partinë Socialiste,” – përfundoi Bylukbashi.

SHKARKO APP