Kandidoi për vendin e Avokatit të Popullit, Jola Hysaj: Më gjykuan pa më njohur
Ish-kandidatja për Avokatin e Popullit, Jola Hysaj ka reaguar pas mbylljes së procesit të zgjedhjes së kreut të këtij institucioni. Hysaj shkruan se ajo u paragjykua pa e njohur. “Pa marrë mundimin të njohin historinë time, rrugën time dhe punën e ndërtuar ndër vite. Kjo është pjesë e realitetit publik dhe nuk e ndryshon thelbin”, shkruan Jola Hysaj.
Postimi i plotë
Ka momente në jetë që nuk maten me numra, por me kuptimin dhe me vlerën e asaj që përfaqëson. Ky është një prej tyre. Në këtë proces u fol shumë për numra. Procedura kërkonte 28, por 27 mbetet numri im. Dhe për mua, 27 është një numër me fat, sepse përfaqëson mbështetjen reale, respektin dhe besimin e njerëzve që e njohin punën time.
Gjatë këtij rrugëtimi u shkrua dhe u komentua për mua, edhe nga gazetarë me përvojë, të cilët zgjodhën të gjykojnë pa marrë mundimin të njohin historinë time, rrugën time dhe punën e ndërtuar ndër vite. Kjo është pjesë e realitetit publik dhe nuk e ndryshon thelbin.
Por përtej kësaj, kam përjetuar diçka shumë më të fortë: vlerësim, mbështetje dhe përgjegjësi. Mbështetje nga familja, miqtë, profesionistët, qytetarët dhe simpatizantët e të gjitha bindjeve politike. Kjo mbështetje më ka bërë edhe më të qartë dhe më të motivuar për të vazhduar. Sepse misionet publike nuk mbyllen në një proces të vetëm dhe nuk përcaktohen nga një moment teknik, por nga karakteri, qëndrueshmëria dhe besimi i ndërtuar në kohë.
Jam krenare që isha kandidate për Avokatin e Popullit. Krenare për standardin, për qasjen dhe për mënyrën se si e përballova këtë proces. Rruga ime vazhdon, me qetësi dhe vendosmëri, përtej palëve dhe përtej zhurmës, në shërbim të interesit publik. Faleminderit nga zemra, Jola Hysaj.
KOHA JONË SONDAZH

