Kapobanda e kokainës së Xibrakut ndodhet në Shqipëri?

Genci Xhixha, personi që dyshohet si organizatori dhe financuesi i rrjetit të trafikut të kokainës dhe që dyshohet se ka sjellë dy kolumbianët në Shqipëri është shpallur në kërkim nga Prokuroria për Krimet e Rënda.

Xhixha është brenda Shqipërisë dhe i fshihet drejtësisë. Ai ka ardhur në Tiranë dy ditë para operacionit të policisë, ku u arrestuan 9 personat e dyshuarte dosjes “Xibraka”.

Nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se Genc Xhixha, ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria, në datën 13 Dhjetor 2014 përmes aeroportit të Rinasit, nga ku është kthyer në Tiranë në 12 janar të këtij viti.

Pas kësaj date Xhixha nuk ka lëvizur nga Shqipëria, por policia nuk ka arritur ta gjejë.

Xhixha dyshohet si organizator i rrjetit të kokainës, pasi kishte kontakte të vazhdueshme me Ilir Hysenin, Gentjan Gjonajn dhe nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha.

Nga verifikimi i bisedave telefonike, rezulton se personi më i afërt me të cilin Xhixha komunikonte vazhdimisht, ishte Ermal Hoxha.

Sipas të dhënave paraprake, dy kolumbianët kanë ardhur në Shqipëri, përmes Genci Xhixhës, i cili flet spanjisht dhe ka lidhje me Amerikën Latine, pasi bashkëshortja e tij, është kubaneze.

Hetuesit thonë, se po verifikohen deklarimet e kolumbianëve, Cesar Avila dhe Valter Moreno, lidhje me një tjetër person të identifikuar prej tyre me emrin Carlos.

Prokurorët thanë se do ti tregojnë foton e Genc Xhixhës dy kolumbianëve, për të parë nëse e njohin, dhe për të kuptuar nëse Xhixha është në të vërtetë Carlosi.

Gjatë dëshmisë në gjykatë, kolumbianët treguan, se ishte Carlosi që i paguante, komunikonte me ta dhe punonte për përpunimin dhe nxjerrjen e ekstraktit të drogës.

Madje edhe në ditën e arrestimit ata thanë, se i njohuri si “Carlos”, ishte në laboratorin e Xibrakës.

Përveç Genci Xhixhës është shpallur në kërkim edhe një person tjetër me inicialet A. T., që mendohet të jetë personi që ka blerë të gjitha pajisjet e laboratorit.

Këto mjete, sipas ekspertëve, përdoreshin për të nxjerre ekstraktin e kokainës nga rrobat e fëmijëve, solucionin i përpunimit të lëkurës dhe plehun kimik të ardhur nga Bolivia.

Gjithashtu, hetuesit kanë sekuestruar një mori shkresash dhe faturash tatimore, të cilat tregojnë blerjet e kimikateve dhe sendeve me të cilat ishtë pajisur laboratori.

Prokuroria nuk jep detaje për datat e faturave, por mendohet, se janë të gjitha të këtij viti, dhe që çon drejt një ideje për kohën e ngritjes dhe instalimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë. /Abcnews

SHKARKO APP