Karta e Studentit edhe në Gjirokastër, ministrja Manastirliu: Qasje në gamë të gjerë shërbimesh me çmime të reduktuara
Në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, u nënshkrua e marrëveshja për zbatimin e Kartës së Studentit, një nismë që synon të lehtësojë jetën e studentëve dhe të familjeve të tyre. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi në prani të stafit akademik dhe studentë të këtij universiteti, Rektori Bektash Mema, si dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njëkohësisht drejtuese politike e Qarkut të Gjirokastrës.
Karta e Studentit është rezultat i një përpjekjeje të gjatë dhe të frytshme, e cila tashmë është bërë realitet falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve arsimore, bashkive në këtë rast bashkia e Gjirokastrës dhe sektorit privat. “Kurorëzojmë një nga zotimet e ndërmarra për Kartën e Studentit, një punë e cila nuk ka filluar sot. Karta e studentit me të gjithë lehtësitë e saj është një iniciativë në bashki, të cilat kanë universitete por ne kërkuan që kjo kartë të institucionalizohet duke bërë të mundur që së bashku me bashkitë të ofrojmë edhe një nivel tjetër shërbimesh të cilat nuk ishin ofruar më parë. Ka shumë nevojë që të ngrihet në një nivel të ri bashkëpunimi universitet-bashki për të jetësuar qytetet tona që të rinjtë tanë të qëndrojnë në qytetet e tyre. Karta do të lehtësojë shërbimet me tarifa zero apo tarifa simbolike për të aksesuar teatrin, kinemanë, muzetë, transportin publik, për të ndërmjetësuar me bashkitë e tjera nëpërmjet biznesit për të ofruar shërbime me tarifa të reduktuara”, tha ministrja e Sportit dhe Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Kjo kartë u mundëson studentëve qasje në një gamë të gjerë shërbimesh me çmime të reduktuara, duke përfshirë fushat e artit dhe kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, arsimit, sportit, transportit, turizmit, mjedisit, ekonomisë, financave, punësimit dhe trajnimit, si dhe shërbime të tjera nga subjekte shtetërore dhe private. “Këtë kartë studentore që ju e nënshkruani sot me bashkinë e Gjirokastrës ta shtrijmë edhe me bashkitë e tjera. Ta vëmë në punë këtë marrëveshje pastaj të angazhohemi që ta pasurojmë me ide të reja”, shtoi ministrja, Mirela Kumbaro, drejtuese politike e qarkut të Gjirokastrës.
Nga Gjirokastra, ministrja Manastirliu foli për një risi për studentët, që është programi i kredisë studentore, i cili parashikon mbulimin e plotë të kostos së studimeve dhe të jetesës, të llogaritura deri në kufirin e pagës minimale në vend. Kjo mundësi është e hapur për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara, duke u dhënë mundësinë ata që nuk përfitojnë nga bursat, mbështetjet financiare apo përjashtimet nga tarifat, të përballen më lehtë me barrën financiare të arsimit të lartë.
“Një tjetër zotim i yni po bëhet realitet: Kredia studentore. Kredia studentore është një instrument, i cili lehtëson jetesën e studentit përgjatë studimeve dhe tashmë ne kemi hapur aplikimet për kredinë studentore për të mundësuar që ata studentë që nuk përfitojnë nga të gjitha ato lehtësira që universiteti ofron të aksesojë këtë instrument që është kredia studentore. Do të jetë një kredi e butë me interesa të ulëta, sepse pjesën më të madhe të interesit të kredisë e paguan shteti dhe është një kredi e lehtësuar për të përballuar shpenzimet e jetesës, tarifat, për studentët që nuk përfitojnë nga programet e tjera të lehtësimit”, tha ministrja Manastirliu, duke ftuar të gjithë studentët që të aplikojnë për kredinë studentore për të përfituar nga kjo mundësi që u jepet.
Një tjetër lajm të mirë që Ministrja e Arsimit dhe Sportit dha për studentët e Universitetit “Eqerem Çabej” ishte dhe hapja e një kampusi të ri që do të sjellë një prej universiteteve më prestigjioze, Universitetin e Edukimit në Distanca të Spanjës. Ky universitet shtetëror, i cili është i njohur për programet e tij inovative dhe ofrimin e mundësive të arsimit të lartë për studentët nga distanca, ofron programe arsimore që përshtaten me nevojat dhe kërkesat e studentëve të sotëm, duke u mundësuar atyre të përfitojnë nga një edukim i lartë cilësor pa u larguar nga qyteti i tyre. Kjo iniciativë do të hapë dyer të reja për zhvillimin e arsimit të lartë në Gjirokastër dhe do të rrisë mundësitë e studentëve për të ndjekur karriera të suksesshme.