
Policia e Durrësit ka zbardhur katër raste vjedhjeje të regjistruara brenda një jave në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Në kuadër të operacionit të koduar “Periudha”, një 31-vjeçar është arrestuar, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim.
Në pranga ka rënë Demir Buthi, 31 vjeç, banues në Hajdaraj të Kavajës. Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim A. S., po 31 vjeç dhe banues në Kavajë.
Sipas hetimeve, dy të rinjtë dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim gjatë periudhës 17–21 tetor 2026, duke vjedhur në katër biznese të ndryshme në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Objektiv i tyre dyshohet se kanë qenë kryesisht markete dhe lokale, ku janë marrë shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë.
Hetimet e specialistëve të Stacionit të Policisë Plazh çuan në identifikimin e autorëve të dyshuar dhe dokumentimin e katër rasteve të vjedhjes.
Policia po vijon punën në bashkëpunim me Prokurorinë për kapjen e 31-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për të verifikuar nëse dy të dyshuarit mund të jenë përfshirë edhe në vjedhje të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.