Keir Starmer në “The Daily Telegraph”: Bota siç e njihnim ka ndryshuar, askush nuk fiton nga lufta tregtare

Nga: Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar / The Daily Telegraph
Fillimisht ishte mbrojtja dhe siguria kombëtare. Tani është ekonomia globale dhe tregtia. Supozimet e vjetra nuk mund të merren më si të mirëqena. Bota që njihnim dikur, nuk ekziston më. Duhet të ngrihemi dhe t’i përgjigjemi sfidës së kësaj kohe.
Ne jemi të përgatitur për atë që vjen më pas. Bota e re është më pak e udhëhequr nga rregullat e përcaktuara dhe më shumë nga marrëveshjet dhe aleancat. Ajo kërkon virtytet më të mira britanike – qetësi, pragmatizëm dhe një kuptim të qartë për interesin tonë kombëtar.
Shihni si kemi reaguar ndaj agresionit rus në Ukrainë. Kemi qëndruar të palëkundur në mbështetjen tonë për Ukrainën. Kemi mbledhur udhëheqësit botërorë dhe kemi punuar me aleatët tanë ndërkombëtarë. Dhe, kemi rritur shpenzimet për mbrojtje – rritja më e madhe e qëndrueshme që nga Lufta e Ftohtë – jo vetëm për paqen e qëndrueshme të Ukrainës, por sepse kjo është thelbësore për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ky investim do të sjellë gjithashtu një “përfitim nga mbrojtja” me më shumë vende pune dhe me paga më të mira.
E dimë që kjo qasje funksionon.
Kjo është arsyeja pse, për sa i përket tarifave, prioriteti i menjëhershëm është të ruajmë qetësinë dhe të luftojmë për marrëveshjen më të mirë. Askush nuk fiton nga lufta tregtare. Pasojat ekonomike, si këtu ashtu edhe në mbarë botën, mund të jenë të thella. Ne tashmë kemi një marrëdhënie të balancuar tregtare me aleatët tanë amerikanë dhe puna vazhdon për një marrëveshje të re për prosperitet ekonomik.
Megjithatë, të gjitha opsionet mbeten në tavolinë.
Unë do të nënshkruaj një marrëveshje vetëm nëse ajo është e drejtë për bizneset britanike dhe për sigurinë e njerëzve që punojnë. Dhe, do të vazhdoj të mbroj tregtinë e lirë dhe të hapur, sepse nëse tani ia kthejmë shpinën asaj, ky do të ishte një gabim i rëndë.
Në fund të fundit, kjo është trashëgimia jonë si një komb ishullor. Nga prodhuesit e makinave në Uest Midlends deri te prodhuesit e uiskit në Ishujt Perëndimorë, tregtia e lirë është një forcë që frymëzon bizneset britanike të eksportit. Kjo qeveri do të jetë zëri i tyre në skenën ndërkombëtare.
Kjo gjithashtu nënkupton forcimin e aleancave tona dhe uljen e barrierave tregtare me ekonomitë e tjera në mbarë botën. Diplomacia e zgjuar sjell një ekonomi më të fortë, më të larmishme dhe më të sigurt këtu në vendin tonë. Ashtu siç e kemi bërë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, duhet të ngrihemi në nivelin e sfidës edhe për tregtinë dhe për ekonominë.
Por, duhet të shkojmë edhe më tej. Këtë javë do të përshpejtojmë planet që do të përmirësojnë konkurrencën tonë të brendshme, në mënyrë që të mos jemi më kaq të ekspozuar ndaj goditjeve të tilla globale. Po ndërtojmë qëndrueshmëri, duke e bërë Britaninë një mozaik ekonomish të lulëzuara, duke shfrytëzuar aftësitë, talentet dhe mundësitë lokale. Duke krijuar pasuri në çdo cep dhe duke ofruar siguri për të gjithë – kudo. Rindërtimi kombëtar do të kërkojë aftësitë dhe talentet e secilit prej nesh.
Ne jemi të gatshëm të përdorim politikën industriale për të ndihmuar biznesin britanik në ballafaqimin me stuhinë. Disa njerëz mund të ndihen në siklet për këtë – shpeshherë është përqeshur ideja që shteti duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt për të formësuar tregun. Por, thjesht nuk mund të mbetemi të mbërthyer nga ndjenjat e vjetra kur bota po ndryshon kaq shpejt.
Refuzimi për të pranuar një botë në ndryshim është në zemër të rënies së Britanisë gjatë dekadave të fundit. Për shumë kohë, institucionet tona kryesore janë përpjekur vetëm të menaxhojnë krizat. Qasja ka qenë të kalojmë sa më mirë që mundemi, në vend që të merremi me shkakun thelbësor.
Janë punëtorët ata që janë goditur më shumë. Infermierë, ndërtues, kujdestarë – njerëz që punojnë gjithnjë e më shumë, por me më pak para në xhep. Njerëzit janë të ngopur me pasigurinë në jetën dhe në komunitetet e tyre. Në këtë epokë të re të paqëndrueshmërisë globale, njerëzit e shikojnë të ardhmen me frikë.
Por, rikthimi i udhëheqjes së qetë dhe të qëndrueshme – ajo për të cilën Britania është e njohur në mbarë botën – ka qenë gjithmonë në thelb të projektit tim politik. Këtë e kam premtuar në fjalimin tim të parë si kryeministër. Dhe, isha i qartë – qëndrueshmëria mund të vijë vetëm përmes sigurisë për punëtorët dhe përmes rilindjes kombëtare.
Brenda dhe jashtë vendit, kjo është ajo që udhëheq çdo veprim të qeverisë sonë. Është e shënuar në të gjithë Planin tim për Ndryshim. Të vëmë më shumë para në xhepat e punëtorëve, përmes pagave më të larta.
Të sigurojmë që pasuria të krijohet në çdo komunitet. Të rikthejmë shërbimet publike në gjendjen e duhur. Të sigurojmë pavarësinë tonë energjetike përmes energjisë së pastër britanike.
Ta bëjmë vendin e punës më të denjë, përmes të drejtave më të forta të punësimit. Të mbështesim të rinjtë që duan të punojnë, në vend që gjithmonë të mbështetemi në zgjidhjen e lehtë të fuqisë punëtore nga jashtë. Të heqim burokracinë shtetërore që na pengon të ndërtojmë shtëpitë dhe infrastrukturën e së ardhmes. Të mbrojmë sigurinë kombëtare me investimin më të madh në mbrojtje që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Këtë javë, qeveria do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur interesin kombëtar të Britanisë. Sepse, kur rërat e ekonomisë globale janë në lëvizje, fokusi ynë i palëkundur, për t’i shërbyer Britanisë, nuk do të ndryshojë. Këto kohë të reja kërkojnë një mentalitet të ri. Ne kemi lëvizur më larg dhe më shpejt në sigurinë kombëtare, prandaj tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë edhe për sigurinë ekonomike përmes aleancave më të forta dhe përmes uljes së barrierave tregtare.
Punëtorëve u duhet një themel i ri sigurie, në mënyrë që të kenë lirinë që ta jetojnë jetën e vet. Ky është interesi kombëtar dhe prioriteti i kësaj qeverie. Fuqi jashtë vendit. Siguri brenda vendit.
Përkthimi: Telegrafi.com