“Kërkojmë përfaqësi për të përndjekurit politikë”, Çika: PD merr 90% të votave tona
Nebil Çika, kreu i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë në një intervistë për Ora News ka bërë me dije kërkesën e këtij grupimi ndaj Partisë Demokratike.
Çika ka thënë se nga PD kërkojnë marrëveshjen për të drejtën e përfaqësisë në listat zgjedhore, teksa shton se ata që i kanë përfaqësuar deri më tani nuk kanë bërë asgjë në të mirë të tyre.
Çika: Ne përqendrohemi te PD sepse më shumë se në 90% të votave tona shkojnë atje. Kjo që ne i kërkojmë PD-së nuk është vetëm për të mirën tonë, por është edhe për ata. Nëse të përndjekurit politikë dalin në zgjedhje, vota e tyre do të shkojë te PD, por ata nuk dalin në zgjedhje. Që të dalin në zgjedhje ne duhet që të kemi përfaqësuesit tanë politikë. Ka ndodhur më parë që kemi pasur përfaqësues politikë apo gjenetikë, por ata nuk kanë qenë përfaqësuesit tanë në kuptimin politik se i ka caktuar PD. Në momente të rëndësishme një pjesë e madhe e tyre, me përjashtime shumë të pakta, kur ka ardhur puna për interesat e të përndjekurve politikë dhe interesa te qeverisë së PD, ata kanë marrë interesat e tyre edhe pse kanë qenë në dëm të të përndjekurve politikë. Sot njerëz që kanë dalë në emër të të dënuarve politikë, kur ka ardhur puna për të votuar kanë votuar kundër tyre.
Ne këmbëngulim që këta njerëz që të kenë përfaqësi, duhet të kenë edhe miratimin tonë. Këtë i kemi kërkuar Bashës, sepse janë njerëz që janë brenda strukturës së PD-së. Duam përfaqësi nëpërmjet një marrëveshje të përbashkët midis të përndjekurve politikë, viktimave të komunizmit dhe PD-së.