Këshilli politik, Bylykbashi-Vasili: Të merret mendimi i OSBE/ODIHR për çështjen e koalicioneve, PS nuk pranon

Dy përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili deklaruan se kanë kërkuar nga qeveria që të marrë mendimin e ndërkombëtarëve lidhur me çështjen e koalicioneve.

Partia Socialiste e ka refuzuar këtë kërkesë me arsyen se vonon përfundimin e reformës zgjedhore. PS kërkon që koalicionet parazgjedhore të ndalohen me ligj dhe listat e kandidatëve të hapen vetëm 30 %.

“Duam që zgjedhësit të kenë të drejtë që vendosin se kush do të jetë në Parlament dhe të votojnë partinë që duan. Maxhoranca, kërkon që tua heqë zgjedhësve mundësinë për të zgjedhur deputetët dhe partinë që duan. Themeli i punës është marrëveshja e 14 janarit. Sipas kësaj marrëveshjeje ne kemi të drejtën të ftojmë ODIHR. I japim kohë Gjiknurit që të reflektojë dhe firmosim që nesër”, ka thënë Bylykbashi.

Ndërsa bashkëkryetari  i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri në takimin e Këshillit Politik është shprehur se, tashmë ndryshimet kushtetuese janë në fuqi.  Ai i ka vendosur ultimatum opozitës për të sjellë propozimet e saj.  “Ne i kemi qëndruar marrëveshjes, deri të premten duhet të dërgoni propozimet për: 1) pragun kombëtar zgjedhor, 2) afatet e paraqitjes së listës unike nga aleancat dhe 3) si do kryhet aspekti procedural i votimit për kandidatët në kushtet e listave te hapura duke ruajtur kuotat gjinore. Ndryshimet kushtetuese tashme janë në fuqi. I doni apo nuk i doni kjo është tjetër çështje. Kemi Kushtetutën në fuqi dhe detyrimin për ta reflektuar në Kodin Zgjedhor. Ju lutem, ju ftoj që në ditët e ardhshme, deri të Premten të sillni propozimet tuaja”,- është shprehur ndër të tjera Gjiknuri.

Në prononcimin e tij për mediat, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili u shpreh se Partia Socialiste nuk pranon që ndryshimet kushtetuese t’i çohen OSBE/ODIHR-it dhe në këtë mënyrë po bllokohet procesi i Këshillit Politik. Në këtë mënyrë, thotë nënkryetari i LSI-së, po synohen zgjedhjet e njëanshme.

“Është vërtet skandaloze, që një vend si Shqipëria, që ka marrë përsipër të drejtojë OSBE-në, pasi është drejtuesja e radhës, bllokon çdo komunikim me të. Së dyti, siç patët mundësi ta ndiqni nga Gjiknuri, mazhoranca erdhi në Këshill me qëllime shumë të përcaktuara, dhe në Këshill erdhi pa pasur asnjë draft ligjor për këtë çështje. Së treti, situata është akoma më skandaloze pasi ndërkohë që demonstrojmë një preokupacion për të ecur shpejt, dhe akuzat se ne po e vonojmë, refuzuan që të vazhdojnë diskutimin e tyre që nesër. Lidhet me bllokimin që i bëjnë Këshillit Politik, zgjedhje të njëanshme, këta nismëtarë kaq të sigurt s’kanë bërë asnjë draft të vetëm. Duan të mbetet në rekordet, që Shqipëria që drejton OSBE bllokon komunikimin e OSBE. Standarde të njëanshme duke bërë precedentin më të turpshëm”, tha Petrit Vasili.

SHKARKO APP