KLD shtyn vendimet per mbledhjen e ardhshme

Këshilli i Lartë i Drejtësisë bën me dije nëpërmjet një njoftimi per mediat se nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi sot mbledhjen plenare për shqyrtimin e propozimeve të Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor për tre gjyqtarë.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë  ka shqyrtuar kërkesën për procedimin disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, O. A.  Ministri i Drejtësisë kërkoi nga anëtarët e Këshillit shtyrjen e shqyrtimit te procedimit disiplinor ndaj këtij gjyqtari dhe bashkimin e procedimit me një tjetër procedim te sjelle se fundmi pranë KLD-së nga ana e tij.  Sa me sipër, anëtarët e Këshillit vendosën pranimin e kërkesës se Ministrit për bashkimin e dy procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, O. A dhe shqyrtimin e tyre në mbledhjen e radhës së KLD-së.

Këshilli shqyrtoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtarit te Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, A.J. Pas diskutimeve, Këshilli me shumicën e votave vendosi që ndaj gjyqtarit A.J, të kryhet një inspektim i përgjithshëm i punës se tij për tre vitet e fundit.

Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e Këshillit shqyrtuan propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, N.C. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të rrëzojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” për gjyqtarin N.C. Gjithashtu, Këshilli rrëzoi me shumicën e  votave edhe propozimin e Kryetarit të Këshillit, njëkohësisht President i Republikës, për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje” ndaj këtij gjyqtari.

SHKARKO APP