Kolegji Universitar “Qiriazi” në moshën e artë. Nesër, më 25 nëntor 2022, kremton 100-vjetorin e themelimit
-Në kapërcyell të një shekulli-
Kolegji Universitar “Qiriazi” në moshën e artë.
Një emër që kryeson historinë e universiteteve të vendit.
(Nesër, më 25 Nëntor 2022, Kolegji Universitar “Qiriazi” kremton 100 vjetorin e themelimit)
-Shkruar nga Gjovalin Gjeloshi-
Kolegji Universitar “Qiriazi” është pasardhës i Institutit Femëror “Qiriazi”, i themeluar në Kodër-Kamëz, në vitin 1922 dhe i rihapur mbi bazën e “Shkollës së Vashave” në Korçë më 1891. Është i vetmi institucion i arsmit të lartë në Shqipëri, që ka historinë e vazhdimësisë: 131 vite nga themelimi në Korçë dhe 100 vite nga rihapja në Tiranë. Themeluesit e këtij institucioni, janë Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, patriotë, rilindas dhe ikona të arsimit tonë kombëtar. Pas një heshtje gjysëmshekullore, hapja e këtij institucioni arsimor, me statusin e “Shkollës së Lartë Universitare” u realizua në vitin 2006 nga Robert Dako, për t’u rihapur me standartet e ligjit të ri për arsimin e lartë, nga Prof. Gjokë Uldedaj, në vitin 2016.
Sot në krye të 100 viteve, Kolegji Universitar “Qiriazi” ka një fytyrë dhe përmbajtje të re. Është rritur në sasi dhe cilësi. Ka katër Njësi kryesore: fakultetin e Ekonomisë; të Drejtësisë; fakultetin e Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sportit si dhe Kolegjin Profesional të Lartë.
Misioni i Universitetit Qiriazi mbetet ofrimi i një arsimimi cilësor në nivelet e arsimit Profesional, Bachelor dhe Master. Baza e realizimit të këtij misioni është kombinimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor dhe punët laboratorike e praktike, duke pasur në epiqendër të vëmendjes studentin dhe të ardhmen e tij.
Nga 2016-2022, “Kolegji Universitar Qiriazi”, ka kaluar dy akreditime institucionale dhe janë të akredituara të gjitha programet e studimit.
Programet e studimit
“Pak e sak”
Me fillimin e vitit të ri akademik 2022-2023, disa universitete shtetërore nuk u druajtën të jepnin shifra për mbylljen e mjaft programeve. Psh, në një universitet shtetëror jashtë Tiranës ishin mbyllur 21 programe. Degë mësuesie, inxhnierie, gjuhët e huaja, u regjistrua 1-2 studentë. Matematika, fizika, informatika, gazetaria etj, kishte zero regjistrime. Atëhere, degë të tilla, nëse nuk ka regjistrime në universitetet e shtetit pa tarifa studimesh, si do të ketë në universitetet private, ku duhet të paguash diçka? Kjo është lehtësisht e kuptueshme. Mendojmë se rendja pas numrit të stërmadh të programeve si në IAL shtetërore ashtu edhe private, nuk është konsolidim, as cilësi, as specializim. Studentët me të drejtë mësyjnë në degë që të japin një diplomë me punë të sigurtë. Fakti për këtë, duket në degët e infermierisë apo të tjera të sektorit të shëndetësisë, edhe për arsyen se të rinjtë pasi të kenë një arsimim bazë, e kanë mendjen për të punuar diku jashtë vendit.
Filozofia e drejtuesve të Kolegjit Universitar Qiriazi, për numrin e programeve ka qenë e thjeshtë: “Pak e sak”, jo numër pa fund programesh, duke prodhuar një produkt-studentin që nuk ka treg [pune] për nesër. “Qiriazi” prej kohësh ka vetëm 13 programe studimi në të katër Njësitë kryesore. Programet e studimit në vitin akademik 2022-2023 fillojnë nga diplomat Profesionale, në Bachelor dhe Master Shkencor. Nga pesë diplomat profesionale, tre i përkasin Kolegjit të Lartë Profesional: Teknologji Ushqimore, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK) si dhe Hoteleri-Turizëm. Dy diploma të tjera Profesionale u përkasin dy fakulteteve: Njëra në Fakultetin e Drejtësisë “Asistent Ligjor dhe Administrativ” dhe tjetra i përket programeve të Fakultetit të Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sporteve që është “Kujdes Social dhe shëndetësor”.
Nga pesë diplomat Bachelor, katër prej tyre i përkasin Fakultetit të Ekonomisë dhe u korespondojnë programeve Financë, Menaxhim Biznesi, Menaxhim në Hoteleri-Turizëm dhe Informatikë Ekonomike dhe Biznesi. Diploma e pestë Bachelor i përket Fakultetit të Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sporteve, në programin “Edukim Fizik dhe Sporte. Një diplomë e veçantë 5 vjeçare është ajo e Fakultetit të Drejtësisë “Studime të Integruara në Drejtësi”, që është baza e studimeve në këtë Fakultet.
Diplomat “Master Shkencor” janë dy dhe i përkasin fakultetit të Ekonomisë: Master i Shkencave në “Financë” dhe në “Administrim Biznesi”. Programet në Kolegj janë të orientuara nga tregu i punës. Diplomat profesionale e vertetojnë një kahje të tillë. Motoja e universitetit ka qenë dhe mbetet: të diplomojmë punëkrijues dhe jo punëkërkues.
Tendenca për të mbajtur nën kontroll numrin e programeve, ka qenë edhe një përvojë e marrë prej universiteteve të huaja, me të cilat Kolegji Universitar “Qiriazi” ka kontrata e marrëveshje bashkëpunimi.
Bashkëpunimi me universitetet
Partneritet dhe përvojë
Një prej objektivave më të rëndësishme të Kolegjit ka qenë “pasja e shokëve të mirë” në rrugëtimin e tij drejt konsolidimit të funksionimit akademik e institucional. Këta partnerë, përveçse brenda vendit, i ka kërkuar edhe më larg… Me një numër universitetesh në Europë dhe në rajon janë lidhur kontrata e marrëveshje bashkëpunimi për një sërë çështjesh. Janë synuar universitete me programe të përafërta studimesh e deri edhe me histori të ngjashme.
Universitete në Austri, Gjermani, Kroaci, Itali e Azerbaxhan, por edhe në Shkup e Prishtinë, janë “universitete mike” të Kolegjit Universitar Qiriazi. Ndër to mund të përmendim Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Burgenland (Fachhochschule Burgenland), në Austri. I themeluar në vitin 1993, programet e para të studimit i kishte për Ekonomi Ndërkombëtare, Teknologji Ndërtimi si dhe Menaxhim Biznesi. Në vijimësi ky universitet ka hapur edhe një sërë programesh Bachelor dhe Master, në drejtime të tilla si: Ekonomi, Teknologji Informacioni dhe Komunikacioni, Shkenca Mjedisore, Shëndetësi dhe Shkenca Sociale.
Universiteti “MODUL” i Vjenës është një universitet privat ndërkombëtar në Austri që ofron programe studimi në gjuhën angleze për një trupë studentore ndërkombëtare. Universiteti “Modul” është themeluar mbi bazën e Kolegjit të Turizmit, i cili është hapur për herë të parë në vitin 1908 dhe ka një traditë të hershme në fushën e turizmit dhe të mikpritjes në botë. “MODUL” mori statusin e universitetit në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë ofron programe studimi në Bachelor, Master dhe Doktoraturë në drejtime si: Menaxhim Ndërkombëtar, Punë Publike (qeverisje publike), Zhvillim i Qëndrueshëm, Menaxhim Hoteleri dhe Turizëm.
“Western Caspian University”, një universitet privat i themeluar në vitin 1991 në Baku, Azerbaixhan, prej Husein Baghirov, është një tjetër universitet që ka një kontratë bashkëpunimi me Kolegjin Universitar “Qiriazi”. Ky universitet ka gjithësejt 25 programe në bachelor, master dhe doktoraturë. Universiteti i Kaspikut Perëndimor, qysh në fundin e viteteve 90-të, nga ana e vetë ka lidhur një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me një numër universitetesh në SHBA: Universiteti i Indianës, Universiteti i Kansasit, Universiteti Shtetëror i Luginës së Misisipit, Universiteti Shtetëror Delta etj, të cilat e kanë ndihmuar universitetin në Baku për përgatitjen dhe vënien në jetë të disa programeve të studimit. Kjo eksperiencë bashkëpunimi përcillet edhe te Kolegji “Qiriazi”.
Universiteti Europian “Viadrina”, në Frankfurt (Oder), një “koorporatë shumëkombëshe” e vërtet që ka rreth 250 universitete partnere në botë, ndër to edhe Kolegjin Universitar “Qiriazi”. Ndërkombëtariteti është “gjaku i jetës” së “Viadrina-s” – thonë drejtuesit e tij. Universiteti ka një histori mbi 400 vjeçare. I hapur për herë të parë më 1506 në Frankfurt, përfaqësonte universitetin e parë shtetëror në principatën e Bradenburgut. Viadrina e parë dha një kontribut të çmuar në rreth 25 disiplina shkencore: në drejtësi, teologji, mjekësi etj. “Viadrina” e sotme e ka konsoliduar më tepër madhështinë e Viadrinës së vjetër. Në këtë universitet vijnë studentë nga më shumë se 100 shtete të botës.
Ndoshta partneri më i ri i Kolegjit Universitar “Qiriazi” është Kolegji Universitar PAR, në Rijeka të Kroacisë. Është institucioni i parë dhe i vetëm privat i arsimit të lartë në qarkun e Primorjes – Gorski Kotar. Ai është themeluar në vitin 2011 dhe që nga viti 2012 ka një program bachelor në Menaxhim Biznesi, me qëllim edukimin e të rinjve me orientim drejt sipërmarrjes, një program që “Qiriazi” po e synon. Një institucion arsimor model dhe i manovrueshëm. Një numër jo i madh studentësh, por edhe me kuota të limituara me synime për cilësi të lartë. Që nga viti 2020 zhvillon edhe një program master në Menaxhim Biznesi. Nuk ka hallka të tepërta drejtuese dhe personel akademik të rënduar, gjë të cilën e favorizon edhe ligji i Arsimit të Lartë në Republikën e Kroacisë.
Gjithashtu, “Qiriazi” ka pasur bashkëpunime edhe me Universitetin “La Sapenza” në Romë, Universitetin “Jaen” në Andaluzia, Spanjë; Kolegjin Universitar IPE, me vendndodhje në Bari të Italisë etj.
Ndër universitetet shqiptare mund të përmendim Universitetin Politeknik të Tiranës, me të cilin Kolegji Universitar Qiriazi ka një kontratë bashkëpunimi pa afat. Albanian University, Universiteti Medhetar i Shqipërisë, Universiteti Winsdom, Universiteti Europian i Tiranës etj, me të cilat shkëmbehet përvoja, bëhen organizime të aktiviteteve shkencore të përbashkëta, shkëmbehen lektorë të disiplinave të ndryshme, por në programe të përafërta etj. Por kontrata më domethënëse e bashkëpunimit, krahasuar me të gjitha universitetet e tjera, mbetet ajo me Universitetin Bujqësor të Tiranës, të ndërtuara të të njëjtin kampus.
Maturantët e shkollave të mesme
“Gurrat” që sjellin ujë në “lumin” e Universitetit
Vit pas viti, Kolegji Universitar Qiriazi është më i pranishëm pranë shkollave të mesme në të gjithë Shqipërinë. Zyra e karrierës e Universitetit si dhe specialistët e marketingut, realizojnë takime e bashkëbisedime të shumta me maturantët e shkollave të mesme, në përpjekje për t’u njohur më mirë me njëri tjetrin.
Në fokus të punës janë shkollat e mesme të përgjithshme nga Shkodra në Vlorë, Lushnjë, Fier, Berat, Korçë, në të gjitha shkollat e Tiranës e Durrësit. Është mirëpritur sidomos, universiteti Qiriazi, në shkollat e mesme profesionale. Në mbi 30 shkolla të tilla që ka Shqipëria, prania e këtij universiteti është e vlerësuar. Shkollat e mesme ekonomike, ato të drejtimit të teknologjisë ushqimore, të hoteleri turizmit apo të teknologjisë ushqimore, që janë në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Golem, Bushat, Fier etj., janë burime të rëndësishme që ushqejnë auditoret e këtij universiteti. Jo vetëm universiteti “shkon” nëpër shkollat e mesme, por gjatë të gjithë vitit auditoret e “Qiriazit” presin për vizitë maturantët e këtyre shkollave nga të gjitha anët e Shqipërisë. Aty njihen me personelin akademik, bashkëbisedojnë për programet që ofrohen, zgjatjen e periudhës së studimeve, ku mund të punësohen pas diplomimit dhe çfarë mundësie ofron universiteti për studentët që kanë vështirësi financiare.
Aftësimi praktik-disa mundësi më shumë
Entet shtetërore e private-një “laborator” i paanë praktikash
Në universitetin “Qiriazi”, në atë shkallë kujdesi që vlerësohet kursi teorik i programeve, njëjtë çmohet edhe rëndësia e punës në laboratore dhe aftësimi praktik i studentëve. Rektori i universitetit Prof. Dr. Maksim Meço, na tregon se sa shumë e çmojnë ata këtë element, krahas kursit teorik që zhvillojnë në auditor. “Qiriazi” nuk krenohet vetëm me laboratoret që ka në dizpozicion. Edhe pse laboratori i teknologjisë ushqimore, fjala vjen, është ndër më të mirët që ka Shqipëria, do të ishte pak nëse universiteti nuk do të kishte lidhur marrëveshje bashkëpunimi me një numër entesh prodhuese apo biznesesh si: fabrika “Tre miqtë”, “Atlas Mills”, fabrika “Vera Librazhd”, “Birra Tirana”, “Birra Stela”, “Coca-Cola”, “Hako shpk”, fabrika “Akli”, “Bloja”, “Lajthiza invest”, shoqëria “Stefani & Co”, “Vila Shehi”, shoqëria “Aldkris”, etj. “Klinika ligjore Qiriazi”, do të ishte e papërfillshme për të aftësuar nga ana praktike studentët e Fakultetit Juridik, nëse universiteti Qiriazi nuk do të kishte marrëveshje bashkëpunimi me institucione të tilla si: Drejtorinë e ndihmës juridike në Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën e Apelit Tiranë, me Zyrat Juridike të bashkive Tiranë e Kamëz, Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave, Zyra përmbarimore “Ardel”, shoqata “Juristët dhe avokatët shqiptarë”, shoqëria “Alb-Jurist” etj.
Të gjitha këto kompani, biznese, institucione shtetërore apo private, me të cilat ka marrëdhënie partneriteti Kolegji Universitar Qiriazi, janë njëkohësisht edhe “stacionet” e para të punësimit të studentëve. Vlen të përmendet këtu marrëveshja e “Qiriazit” me Bashkinë e Kamzës, për punësimin e dhjetë studentëve të sapodiplomuar në çdo vit, me afat punësimi njëvjeçarë. Ky punësim sezonal me statusin e një “stazhieri”, do të shërbejë për ingranimin e të diplomuarit në zinxhirin e emërimeve në shërbimin civil shtetëror si dhe për të fituar një eksperiencë bazë për të konkuruar për vende të tjera pune. Nga ana tjetër edhe kolegji Qiriazi “i kthen nderen” bashkisë, duke i dhënë 10 bursa për studentët që vijnë nga shkollat e Kamzës.
“Fole grishëse”
Larg zhurmave, pranë udhëve
E quajtën në fillimet e veta “Fole Kombëtare”. Natyrisht kohët kanë kaluar e kanë ndryshuar, sepse “kombëtare”, në një kuptim, është çdo shkollë që funksionon në territorin e Shqipërisë. Tani, pasardhësen e “Folesë Kombëtare” do ta emërtoja “Fole grishëse”, për të treguar se ky vend vetëm të nxitë e të fton ta shohësh. Qyshëse u ndërtua kjo godinë në Kodër-Kamëz, binte në sy veçanësia e saj, jo vetëm për arkitekturën (klasike e moderne bashkë), por më tepër për vendin që kishin zgjedhur themeluesit, për të ndërtuar Institutin Femëror. Çdo vizitor nuk mund t’u shmangej emocioneve dhe askush nuk largohej prej Institutit, pa thënë apo shkruar diçka. Ky vend ishte qysh atëhere grishës…
I ndërtuar në mes të një pyllnaje e shkurrishteje natyrale, Kodra e kampusit iu nënshtura edhe një “selitjeje” nga dora e njeriut. Gjelbërim-ajër i pastër-dritë dhe diell-ambjente çlodhëse dhe argëtuese. Me plusminuset e veta, të ndodhura gjatë viteve, ky vend është grishës edhe sot, kur vetë qyteti i Tiranës apo territore të tjera, po i pakësojnë sipërfaqet gjelbëruese dhe kujdesi për pastërtinë e ambjentit ka rënë. Godina 95 vjeçare, e hijshme dhe krenare, u bën hije të gjitha godinave të tjera që formojnë kampusin e përbashkët Universitet Bujqësor-Kolegj Universitar, edhe pse shumë prej tyre janë ndërtuar e po ndërtohen vitet e fundit.
“Instituti ka zgjedhur një pozitë të bukur natyrore- thoshte që atëhere një prej ministrave të arsimit – larg zhurmave të botës e larg qendrave të frikshme të një jete pseudomoderne…”. Sot kjo pozitë merr edhe më tepër vlera: larg ambjenteve të ndotura, larg një qyteti të madh ku shfryjnë përditë skapamentot e qindra-mijëra makinave, ku vendin e gjelbërimit e zënë qiellgërvishtësit e në vend të pemëve mbillet vetëm hekur e beton. Afër magjistralit të rrugës kryesore që lidh të gjithë Veriun e Shqipërisë, por edhe Durrësin, Kavajën apo Lushnën e Fierin dhe mbërrin këtu pa qenë nevoja ta provosh trafikun e rënduar të Tiranës në çdo orë të ditës. Kolegji Universitar Qiriazi bashkë më Universitetin Bujqësor, gëzojnë njërin prej territoreve më të bukura e më të gjelbëruara, që mund të kenë të gjitha universitetet e vendit- shtetërore e private së bashku. Është një vend që të grish e të joshë. Një vend ku ndihet aroma e ozonit. Një vend ku frymëzohesh. Bukuritë dhe funksionet e kampusit janë shtuar ndjeshëm këtë vit, më 2022, me ndërtimin e disa godinave të akomodimit të studentëve, në vendin ku ishin konviktet e vjetra e të rrënuara prej kohës e prej shpërdorimeve. Është një ambjent që të çlodh pas punës e mësimit dhe që të nxitë të bësh diçka më shumë se programi mësimor…
Vetorganizimet e shumta të studentëve me “klubet” dhe aktivitetet e ndryshme, tregojnë se “Foleja grishëse” ka një atmosferë tejet miqësore e frymëzuese edhe brenda mureve të Kolegjit. Si një familje e vërtet funksionon stafi akademik, ndihmës e administrativ, me trupën e studentëve/eve, si prindërit me fëmijët, si vllezërit e motrat e rritura me më të vegjëlit. Kohët e fundit, Senati Akademik është kujdesur që të ketë edhe një numër pedagogësh në moshë të përafërt me studentët: që të mendojnë si ata, të sillen si ata e të jenë pjesë organike e organizimeve të tyre.
“Klubi Letrar Qiriazi”, “Forumi Ekonomik Studentor”, “Klubi i Juristëve të Rinj”, “Miqtë e Sportit” etj, kanë në përbërjen e tyre jo vetëm studentë, por edhe një numër pedagogësh të rinjë, që i ndjekin këto aktivitete: Takime me shkrimtarë dhe gazetarë, vendas e të huaj; bashkëbisedime me ekonomistë të shquar, me bankierë e ekspertë të ndryshëm të sistemit financiar; leksione të hapura me juristë të shquar, që punojnë në sistemin e drejtësisë apo në institucione të tjera juridike; aktivitete të përbashkëta me ekipet sportive të Kamzës dhe takime me sportistë të dëgjuar në vite e me gjyqtarë të sporteve të displinave të ndryshme sportive etj – janë bërë pjesë e jetës studentore. Një numër sportistësh të kategorisë së parë janë edhe studentë të këtij universiteti.