
Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar ndaj pretendimeve në rrjetet sociale se ka blerë një banesë në Tiranë me vlerë 240 mijë euro, vetëm pak muaj pasi mori mandatin e deputetes. Reagimi i saj erdhi pas komentit të një ndjekësi, i cili vuri në pikëpyetje mënyrën se si ajo kishte mundur të përballonte një blerje të tillë pas një periudhe të shkurtër në politikë.
“240 mijë euro shpi me 1 vite deputete”, shkruante komentuesi në rrjetet sociale. Çaushi i është përgjigjur drejtpërdrejt, duke mohuar shifrën e përmendur dhe duke sqaruar se bëhet fjalë për një apartament të prenotuar në një pallat që ende nuk ka nisur të ndërtohet.
“Po mirë mo, ku bazohesh ti që kam marrë shtëpi 240 mijë euro? Apo mjafton të shpikësh një shifër dhe ta thuash si të ishte e vërtetë?”, shkruan deputetja në përgjigjen e saj.
Sipas saj, apartamenti është prenotuar përmes një kredie dhe pagesave me këste, një mënyrë financimi që, siç thekson ajo, përdoret nga shumë qytetarë shqiptarë. “Unë kam prenotuar një apartament, siç bëjnë mijëra shqiptarë, me kredi dhe me këste, në një pallat që ende nuk ka nisur të ndërtohet. Nuk kam marrë asnjë shtëpi të përfunduar”, sqaron Çaushi.
Në përfundim të reagimit, deputetja u kërkon komentuesve të paraqesin prova për pretendimet e tyre, duke kundërshtuar publikimin e shifrave që ajo i cilëson të pavërteta. “Nëse ke fakte për ato që pretendon, paraqiti. Përndryshe, mos shpik shifra dhe mos i shit si të vërteta në komente pas tastierës”, përfundon reagimin e saj Zegjine Çaushi.

