Komiteti i Ekspertëve: Sistemi parauniversitar të kthehet në klasa

Ulja e infektimeve ditore dhe e shtrimeve në spital si dhe vijimi me procesin e vaksinimit masiv, ka bërë që Komiteti Teknik i Ekspertëve të rikthejë gjimnazet dhe 9-vjeçaret në klasa dhe të vijojnë mësimin normalisht, jo më të alternuar në klasa dhe online siç ishte deri tani. Duke evidentuar një rritje të lehtë të rasteve, por edhe një ulje të rasteve të shtrimeve dhe të intubimeve, Komiteti nënvizoi optimizmin për fushatën e vaksinimit, që sipas tyre e radhit Shqipërinë si një nga vendet më të avancuar në rajon, para edhe Kroacisë.

“Siç shihet, Komiteti Teknik ka arritur në konkluzionin që situata është e qëndrueshme, por ka një rritje të lehtë të shtrimeve në spitale dhe thirrjeve të 127. Shpresoj që kjo situatë të mos rëndohet. Janë vaksinuar me dy doza, personeli mjekësor, një pjesë e mirë e arsimtarëve kanë përfunduar dozën e parë, po vijon dhe vaksinimi për kategoritë e tjera. Jemi nga vendet e para për ritmin. Duke peshuar masat që kemi marrë, Komiteti Teknik mendon që të propozojë ministrisë të arsimit, që të kalojë atë parauniversitar në kombinuar, në kthimin në klasë, duke ndjekur në mënyrë rigoroze masat. Duhet të respektojmë distancimin fizik. Vetëm me këto masa, me këtë ritëm, edhe me shtimin e vaksinimit, do të mundim të kemi një kontroll të mirë mbi pandeminë. Një rritje të ekonomikë dhe realizim të mirë të aktiviteteve të turizmit”, tha zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Shefi i Urgjencës, Skënder Brataj, raportoi se pas 18 prillit ka një rritje të lehtë të personave që kërkojnë informacion për sa i përket efekteve anësore të vaksinave. ”Nga monitorimi që 127 i bën situatës ka një rritje të thirrjeve për kërkesën e informacionit për sa i përket efekteve anësore të vaksinave. Ka rritje të lehtë të vizitave në banesë. Nëse në 18 prill ishim me 290 sot jemi me 350-360, nga të cilat 40-45 vizita Covid. Në 129 raportime për efekte anësore të vaksinës, në të cilat 48 meshkuj dhe 81 femra predominon temperatura në 80 persona. Bie në sy nga efektet anësore të vaksinës predominon: temperatura, lodhja, të dridhura dhe dhimbja e kokës, ashtu siç edhe janë parashikuar”,-tha Brataj në fjalën e tij.

Masat e tjera mbeten në fuqi, ku ora policore vijon të jetë 22:00-06:00, maska e detyrueshme në rrugë dhe karantina e detyruar 2 javore për qytetarët që vijën nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

SHKARKO APP