Kontrollet rrugore në Tiranë, mijëra shoferë ndëshkohen për shkelje të rregullave
Policia Rrugore e Tiranës ka evidentuar mbi 12 mijë shkelje të rregullave të qarkullimit gjatë javës së fundit, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara në akset kryesore dhe zonat me lëvizje të shtuar të automjeteve.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë kësaj periudhe janë proceduar penalisht 24 drejtues mjetesh për shkelje në fushën e qarkullimit rrugor. Një tjetër rast ka përfunduar me procedim penal, pasi një shofer dyshohet se tentoi t’i ofronte ryshfet një punonjësi policie për të shmangur masën administrative.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe raste të drejtimit të automjeteve nën efektin e alkoolit, përdorimit të celularit gjatë kohës që drejtonin mjetin, mungesës së rripit të sigurimit, si dhe shkelje të tjera që përbëjnë rrezik për sigurinë në rrugë.
Policia ka vendosur masa administrative për drejtues që nuk respektonin pozicionimin në karrexhatë, për parkime apo ndalime të parregullta, si dhe për përdoruesit e mjeteve që nuk kishin pajisjet e detyrueshme të sigurisë.
Ndër shkeljet e evidentuara gjatë javës, 12 raste lidhen me drejtimin e automjeteve në gjendje të dehur, ndërsa mbi 1500 masa janë vendosur për përdorim celulari gjatë drejtimit, mungesë të rripit të sigurimit dhe mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
Policia Rrugore e Tiranës apelon drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin drejtimin nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi dhe të tregojnë më shumë përgjegjshmëri për të parandaluar aksidentet rrugore.
KOHA JONË SONDAZH

