Koordinatori i përhershëm i OKB në Shqipëri Williams: Menaxhimi i fazës tjetër të koronavirusit kërkon shumë vëmendje
Më shumë se 4 milionë persona janë prekur dhe mbi 285 mijë të tjerë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri COVID-19 që goditi botën. Kjo pandemi ka shkaktuar dhe pritet të intensifikojë krizën ekonomike në shumë vende. Me hapjen sadopak të ekonomisë, rifillon edhe ndërveprimi njerëzor dhe çështja është: “Si menaxhohet lëvizja e njerëzve që do të kthehen në punë, që do të kthehen në zyra, që do të shkojnë më shpesh në restorante? Si bëhet kjo në një mënyrë që minimizon mundësitë e kalimit të virusit nga një person te tjetri? Si të sigurohemi që çdo familje në Shqipëri të ketë nivelin minimal të burimeve që mund të ushqehen dhe të çojnë fëmijët në shkollë. Në një intervistë për emisionin ‘Diplomaticus’ të gazetarit Erion Kaçorri, në televizionin News24, koordinatori i përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Z. Brian J. Williams flet për mënyrën sesi e trajtoi Shqipëria këtë pandemi, pasojat që do të shkaktojë Covid 19 dhe rolin që ka OKB në lehtësimin e krizëz.
Zoti Williams, cili është roli i OKB-së në këtë krizë të paprecedentë?
Sigurisht që OKB-ja luan një rol të madh në të gjithë botën. Po përpiqet vërtet shumë që të orientojë dhe të ndihmojë qeveritë të kuptojnë se çfarë po ndodh, pasi, siç e dimë të gjithë nga lajmet që shohim, COVID-19 është diçka krejtësisht e re, prandaj po mësojmë për të çdo ditë e më shumë. Shkencëtarët në mbarë botën po përpiqen ta studiojnë, OKB-ja po përpiqet ta mbledhë këtë informacion dhe t’ua përcjellë sa më shpejt qeverive, në mënyrë që ato ta kenë parasysh se çfarë duhet të bëjnë. Përveç kësaj, sigurisht, e gjithë familja e agjencive të OKB-së dhe agjencitë në të gjithë botën po bëjnë gjithçka që munden. Po ofrojnë ushqim, kujdes shëndetësor, po mendojnë për nevojat për arsim dhe komunitetet me të cilat punojnë në mënyrë që këto komunitete të mos goditen më shumë se sa duhet nga COVID dhe për mënyrat se si të zbuten këto pasoja. Pra, OKB-ja po bën goxha punbë kudo.
Si e shihni tendencën e pandemisë këtu në Shqipëri?
Këtu në Shqipëri, besoj se duhet të përgëzojmë autoritetet dhe popullin shqiptar që reaguan vërtet shumë shpejt. Ditët e para të marsit, kur ende nuk ishte zbuluar asnjë rast infektimi me virus këtu, pati shumë përpjekje për të zbuluar raste të tilla. Në momentin që u konfirmua rasti i parë, sapo u konfirmuan disa raste, qeveria reagoi mjaft shpejt. Masat e izolimit këtu ishin të shpejta dhe të forta, dhe besoj se rezultate pozitive të këtyre masave i shohim në treguesit ekzistues. Në Shqipëri nuk pati asnjëherë një rritje shpërthyese. Kishte ditë ku numri rritej disi, ndoshta rreth 20, por po të shohim periudhën që nga fillimi i marsit, kurba ka qenë mjaft e sheshtë. Dhe në të vërtetë, qeverisë i takojnë merita për këtë. Tani, dihet që izolimi sjell ndikim të konsiderueshëm ekonomik. Këto ishin masa shumë të gjera dhe të menjëhershme, prandaj është momenti – dhe qeveria po e mendon – se si të bëhet hapja e ngadaltë, siç po bëjnë shumë qeveri të tjera në Evropë. Menaxhimi i fazës tjetër ka për të qenë vërtetë “me spec”. Në këtë fazë tjetër ka plot gjëra të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendjen e duhur.
Kur thoni faza tjetër, çfarë keni parasysh?
Sot këtu në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, ka më shumë dyqane të hapura; javën tjetër do të ketë edhe më shumë. Dihet se turizmi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe se ka për të pasur shumë presion për të hapur sadopak industri të ndryshme, restorante, bare, restorante. Ka shumë punëtorë informalë që nuk përfitojnë domosdoshmërisht prej programeve të ndihmës. Ekonomia ka nevojë të vihet sërish në lëvizje. Me hapjen sadopak të ekonomisë, rifillon edhe ndërveprimi njerëzor dhe çështja është: “Si menaxhohet lëvizja e njerëzve që do të kthehen në punë, që do të kthehen në zyra, që do të shkojnë më shpesh në restorante? Si bëhet kjo në një mënyrë që minimizon mundësitë e kalimit të virusit nga një person te tjetri? Në fund të ditës, armiku këtu është një virus i vogël që nuk shihet dhe sjellja jonë duhet të ndryshojë pak. Nuk mund të kthehemi në normalitet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Do të shkojmë në restorante ku do të ulemi më larg njëri-tjetrit. Transporti publik do të përdoret më pak. E di se janë hapur korsi të reja për biçikleta në Tiranë dhe kjo është pozitive. Njerëzit duhet të jenë më të kujdesshëm se si përdorin transportin publik. Duhet të mbajnë maska, sinqerisht, jo vetëm për të mbrojtur veten, por sepse kështu mbron gjithëkënd. Pra, në njëfarë mënyre, menaxhimi i kësaj hapjeje është vërtet i rëndësishëm. Po aq e rëndësishme është se nëse infektohet dikush në këtë fazë të re, personi të gjendet shpejt dhe po aq shpejt të gjenden edhe të gjithë kontaktet e tij, në mënyrë që të izolohet çfarëdo rast i ri infektimi.
Zoti Williams, si mund të kthehemi aty ku ishim para se të shpërthente kjo pandemi dhe si kapërcehen dëmet socio-ekonomike të shkaktuara nga COVID-19?
Atëherë, nuk ka për të ndodhur të kthehemi aty ku ishim para kësaj situate, për sa kohë nuk kemi një vaksinë. Pra, derisa të kemi vaksinën apo derisa të kemi medikamente efikase për trajtimin e kësaj sëmundjeje, do të na duhet të përshtatim sjelljet tona, siç thashë. Mendoj se ajo çka është vërtetë e rëndësishme është të vazhdojmë të mendojmë se si të mbështesim punëtorët që janë vërtet të varur javë pas jave nga të ardhurat që nxjerrin nga puna, si dhe të sigurohemi që familjet e tyre të kenë ushqim dhe të vazhdojnë të ecin përpara. Pra, na duhet të marrim këto masa të distancimit social. Mendoj se edhe masat për mbështetjen sociale do të jenë të nevojshme për një periudhë kohe të gjatë. Në shumë vende po flitet edhe për një lloj të ardhure bazë universale. Në fakt, kjo do të thotë një lloj mbrojtjeje sociale bazë. Si të sigurohemi që çdo familje në Shqipëri të ketë nivelin minimal të burimeve që mund të ushqehen dhe të çojnë fëmijët në shkollë, që fëmijët të kenë tekstet shkollore dhe gjithçka të nevojshme, që të mund të blejnë inputet ekonomike që u duhen nëse merren me bujqësi apo janë fermerë, pra, duhet të kenë likuiditet të mjaftueshëm për të blerë çfarë iu duhet për fermat e tyre. Do të na duhet t’i shohim sektorët një e nga një dhe të analizojmë se si mund të realizohet distancimi social apo distancimi fizik në këtë mjedis të ri, dhe se si ndikon te biznesi i gjithësecilit. Mesa di, Ministri i Turizmit për shembull, ka thënë se të gjitha hotelet dhe njësitë turistike duhet të caktojnë një koordinator për COVID-in. Pra ky do të jetë një person që do të mendojë: “Çfarë duhet të bëj në hotelin tim, në biznesin tim, në restorantin tim, në plazhin tim që klientët e mi të jenë të sigurt dhe që t’u jap informacionin e duhur punonjësve të mi? Si mbrohen vetë punëtorët? Si e mbron punëtori klientin? Pra, që t’i kthehem pyetjes suaj, nuk ka për të pasur një nesërme normale. Ndoshta, do të jetë një normalitet si ai që do të mbajmë vend vitin që vjen, por deri në fund të vitit do të na duhet të sillemi ndryshe. Secili do të duhet të bëjë pjesën e vet.
A mund të jemi optimistë për të ardhmen?
Sigurisht që mund të jemi optimistë! Duke qenë se njerëzit janë kreativë, novatorë, jemi dhe qenie të ndjeshme. Shikoni pak se çfarë ka ndodhur në botë 8 javët e fundit. E jashtëzakonshme! Sasia e burimeve që kanë gjetur qeveritë në Evropë apo SHBA, burimet e angazhuara për të mbështetur pagesat e nevojshme që njerëzit të mund të vazhdojnë të hanë dhe të paguajnë qiranë. Është e jashtëzakonshme: na shfaqet një krizë e madhe dhe arrijmë të gjejmë mënyrat që të përballemi me të. Jam optimist se kemi për të gjetur mënyrat për t’iu përgjigjur dhe kësaj krize. Këtë po e shohim tashmë në mjaft vende. Jam optimist, por ka për të qenë ndryshe dhe do të duhet që njerëzit të sillen ndryshe, duhet që qeveritë të rimendojnë prioritetet e tyre. Për këtë nuk ka diskutim, pasi kudo sistemet shëndetësore kanë nevojë për më shumë punë, sepse sistemi shëndetësor do të vazhdojë të sforcohet nga COVID-19 derisa të mbarojë kjo situatë. Prandaj, duhet që të gjithë ne, përfshirë edhe qeverinë, të investojmë më shumë në sistemin shëndetësor që të forcohet dhe të mund të vazhdojë të ofrojë shërbimet e zakonshme shëndetësore që i duhen kujtdo, duke mbajtur njëkohësisht sytë hapur ndaj situatës së COVID-it.
Zoti Williams, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres po flet për racizmin, gjuhën e urrejtjes dhe ksenofobinë e nxitur nga pandemia. Për çfarë e ka fjalën Guterres saktësisht?
Ai është vërtet i shqetësuar. E keni parasysh se në çdo krizë ka ndonjëherë një lloj tundimi dhe disa persona fillojnë të gjejnë një kauzë, të gjejnë një fajtor, gjë që është e lehtë në këto lloj situatash. Në vende të ndryshme në të gjithë botën është e lehtë të fajësosh dikë. Realiteti është që ky virus është një virus. Nuk është person, por është virus. Bota jonë është shumë e ndërlidhur sot dhe këtë gjë e dinim. E dinim se pandemia mund të ndodhte. Për dekada të tëra, ekspertët kanë studiuar pandemitë dhe si të përgatitemi për to. Pra, kjo nuk është diçka krejt e papritur. Virusi na tregon që jetojmë në një botë të ndërlidhur. Megjithatë, ndodh ndonjëherë që grupe apo individë të caktuar të fajësojnë një emigrant, një sektor apo shoqërinë si shkaktarin e problemit.
Ose një shtet.
Po, ose një shtet. Sekretari i Përgjithshëm tha “Shikoni ky është një virus dhe virusi luftohet duke punuar së bashku, duke mbështetur absolutisht të gjithë, pa u marrë se kush e ka fajin por duke e luftuar bashkërisht”.
Zoti Williams, Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për 6.7 miliard dollarë për të luftuar pandeminë e koronavirusit në vendet e varfra. Sipas OKB-së, ka prova se të ardhurat po bien ndjeshëm dhe se vendet e punës po zhduken, furnizimet me ushqime po mungojnë dhe çmimet po rriten në mënyrë marramendëse. Çfarë ka për qëllim të bëjë OKB-ja përmes këtij fondi?
Në nivel global, Kombet e Bashkuara kanë tri strategji kryesore ose tri shtylla kryesore. E para është ajo që e quajmë ndihmë humanitare dhe bëhet fjalë për 6.7 miliardë, shuma së cilës i referohemi. Kjo është një thirrje për vendet më të varfra në botë që qytetarët e tyre të kenë mjaftueshëm për t’u ushqyer dhe të mund të vazhdojnë të kenë shërbimet bazë. Kjo vlen për vendet më pak të zhvilluara. Shtylla e dytë është specifikisht kujdesi shëndetësor. Në çdo vend, OBSH-ja por edhe organizata të tjera të OKB-së të përfshira në fushën e kujdesit shëndetësor, po ndihmojnë sistemet shëndetësore t’i përgjigjen kësaj situate dhe nuk bëhet fjalë vetëm për masa ndaj COVID-it, por edhe për imunizimin. Ne duhet të kujdesemi që fëmijët të vazhdojnë të imunizohen ndaj fruthit apo sëmundjeve të tjera të fëmijëve. Përndryshe, jemi të destinuar të shohim më shumë probleme nga ato çka njiheshin deri tani. Pra, ne duhet të vazhdojmë të kemi sisteme të forta shëndetësore. Shtylla e tretë është ajo që e quajmë përgjigjja socio-ekonomike. Këtu, bëhet fjalë për një sërë masash apo hapash të mbrojtjes sociale, siç e përmenda më parë, ndoshta për një lloj të ardhure bazë universale dhe vendet e punës. Pra, vendet e punës janë të rëndësishme, apo jo? Këtu në Shqipëri, shumë programe të OKB-së po punojnë me bashkitë që personat më të prekshëm të mos lihen pas. Dhe ne kemi disa programe të përbashkëta që u kanë shpërndarë paketa ushqimore dhe komplete higjienike mbi 1 500 familjeve. Po punojmë me pushtetin vendor për t’i ndihmuar në identifikimin e qytetarëve më të rrezikuar, që ndoshta janë komunitetet rome dhe egjiptian që nuk kanë akses të mirë në shërbime. Ndoshta janë personat me aftësi të kufizuara; kam parasysh shumë familje me fëmijë me aftësi të kufizuara, që nuk kanë akses në programe, programe terapeutike që mbështesin normalisht fëmijët ë tyre. Ata po marrim mbështetje nga OKB-ja që prindërit të mund të trajnohen online, si për shembull përmes Zoom-it për llojet e ushtrimeve që duhet të vazhdojnë të bëjnë fëmijët e tyre për të pasur të paktën një lloj mbështetjeje. Pra, kjo shtyllë sociale-ekonomike ka të bëjë me vendet e punës; ndoshta për të gjithë punëtorët e sektorit informal që kanë ngelur pa punë duhet të mendojmë njëfarë formimi profesional. Le ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Duhet t’i mbështesim ata gjithsesi, ndoshta mund t’i regjistrojmë në kurse profesionale që të dalin nga kjo situatë në pozita më të mira.
Zoti Williams, sipas Kombeve të Bashkuara, virusi do të ketë efekte destabilizuese dhe shkatërruese në vendet më të varfra. A mendoni se këto efekte do të ndihen edhe Shqipërinë?
Atëherë, Shqipëria është e sigurt që do të goditet rëndë nga COVID-i, ashtu sikurse të gjitha vendet e rajonit. Për këtë nuk ka dyshim. Ne e dimë se sa i rëndësishëm është turizmi për Shqipërinë, kështu që duhet të gjejmë mënyrat se si të mbështetet turizmi dhe se si të tregohet kujdes për ata që normalisht nxjerrin jetesën nga industria e turizmit. Sigurisht që nuk do të kemi të njëjtin numër turistësh si vitet e tjera, kjo është e sigurt. Natyrisht, ne duam të mbështesim sa më shumë në mënyrën më të sigurt, por duhet gjithashtu të gjejmë mënyra për të mbështetur punëtorët informalë që ndoshta deri tani nuk kanë përfituar nga asnjë lloj programi. Duam të gjejmë mënyra për të mbështetur këta punëtorë informalë. Pra, kjo situatë ka për të pasur ndikim. Unë mendoj se shumë i rëndësishëm është dhe bashkëpunimi rajonal. Siç e dini, Shqipëria eksporton një pjesë të mirë të produkteve bujqësore, pra kjo kërkon kufij të hapur dhe zinxhirë funksionalë furnizimi, që do të thotë shumë punëtorë të vijës së parë apo punonjës doganash në kufi duhet të sigurohen që kamionët me domate apo çfarëdo produkti të mund të kalojnë kufirin. Pra, Shqipëria ka për t’u prekur nga kjo situatë. Dimë se qeveria po harton një program rimëkëmbjeje ekonomike, kurse ne, si OKB, kemi instruktuar çdo vend të botës të hartojnë programe social-ekonomike që të mund të mbështeten nga OKB-ja. Ne do të punojmë me qeverinë që programet tona të mbështesin programet e tyre, sigurisht. Por, është e sigurt që ndikim do të ketë. E rëndësishme është që nuk do të ketë kthim në normalitet në muajt në vijim.
A është e informuar OKB-ja në Shqipëri se njerëzit kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë?
Qeveria këtu e ka informacionin për njerëzit që kanë humbur vendin e punës. Pra, ne e dimë që ka pasur ndikim të madh sa u përket njerëzve që kanë ngelur pa punë dhe është e nevojshme që ata t’i kthehen sa më shpejt punës, prandaj duhet të mendojmë mënyra për t’i angazhuar ata që mund të mos gjejnë dot një punë fill pas situatës, diçka tjetër si formimi profesional apo ndoshta programe punimesh publike që u sigurojnë mundësi afatshkurtra sa për të kaluar këtë periudhë, derisa vitin tjetër të ketë, shpresoj, një rimëkëmbje të plotë të turizmit.
Zoti Williams ju keni qëndruar në Shqipëri gjatë pandemisë. Si funksionoi i gjithë ky procesi i të punuarit nga shtëpia dhe rikthimi në punë? Si e shini të gjithë këtë proces?
Mendoj se në Shqipëri, ashtu sikurse kudo në botë, puna nga shtëpia funksionoi më mirë seç pritej nga shumica e njerëzve. Për shembull, edhe sot në mëngjes pata një telefonatë me disa ambasada të tjera të Delegacionit të Bashkimit Evropian, me kryeministrin dhe ministrin Ahmetaj dhe të gjithë ishin në Zoom. E keni parasysh, të gjithë po bënin të njëjtën gjë. Pra, kemi ecur goxha përpara në këtë aspekt. Ajo çka nuk mund të bëhet është të shkosh në komunitete aq lehtë si më parë. Pra, të gjitha ato punë që kërkojnë të dalësh jashtë dhe të takohesh me grupe njerëzish janë vështirësuar shumë, por nuk janë të pamundura. Madje, edhe me trajnimin, OBSH-ja këtu në Shqipëri ka punuar shumë duke trajnuar personelin shëndetësor, infermierët dhe punonjësit shëndetësorë të vijës së parë përmes Zoom-it apo çfarëdo lloj platforme tjetër, rreth COVID-it, cila janë simptomat e tij, si duhet reagohet ndaj simptomave, si vishen pajisjet mbrojtëse, çfarë pajisjesh mbrojtëse duhet të mbajmë. Pra, dua të them, e merrni me mend sa trajnime po bëhen çdo ditë teksa mësojmë gjithnjë e më shumë për COVID-in dhe pjesa më e madhe e trajnimeve janë bërë përmes Zoom-it ose platformave ekuivalente.
Sigurisht zoti Williams, një pyetje e fundit, Shqipëria u godit nga një tërmet i fuqishëm në nëntor. Çfarë po bëjnë Kombet e Bashkuara për rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit?
Ë: Po, fatkeqësisht. Sa menduam se një fatkeqësi do të mjaftonte dhe ja ku na erdhi tjetra. Mendoj se qeveria dhe ne vetë po përpiqemi të mbajmë fokusin te tërmeti dhe do të thoja se edhe gjatë 10 ditëve të fundit ka pasur më shumë vëmendje tani që njerëzit po fillojnë të ndihen pak më të qetë, të paktën këtë fazën e izolimit ndaj COVID-it. Ne do të punojmë me BE-në për rindërtimin e shkollave, me PNUD-in për rindërtimin e disa objekteve të trashëgimisë kulturore, me UNOPS-in. PNUD dhe FAO po merren me rimëkëmbjen ekonomike në zonat e tërmetit. UNICEF po shikon se si mund të mbështesë pjesën soft të arsimit në zonat e prekura nga tërmeti dhe si mund të përgatiten më mirë mësuesit për të qenë të gatshëm në rast emergjence, për të ditur se si të reagojnë; edukimi online është diçka që është e rëndësishme kur shkollat nuk janë të aksesueshme, si për shembull për shkak të tërmetit apo kur shkollat nuk janë të aksesueshme për shkak të COVID-it. Pra, për edukimin online dhe në distancë, UNICEF ka punuar shumë me platformën e njohur “Academia.al” që fëmijët të vazhdojnë të arsimohen. Pra, ne po vazhdojmë të fokusohemi te masat ndaj pasojave të tërmetit, duke punuar me një sërë partnerësh dhe disa prej punimeve të rindërtimit do të jenë të dobishme edhe për ekonominë, kështu që është mirë të fillojmë shpejt.