Kreu i SPAK, Altin Dumani: Kemi gati strategjinë e hetimit të krimit zgjedhor

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka deklaruar se SPAK do të publikojë strategjinë e hetimit të krimeve zgjedhore.
“Kam deklaruar që do të publikoj strategjinë e hetimit të krimeve zgjedhore. Strategjia thuajse ka përfunduar, pritet miratimi. Po ashtu është menduar edhe një plan veprimi dhe një urdhër por për momentin nuk mund ta bëj publik urdhrin”, ka thënë Dumani në një takim me gazetarët.
Dumani ka folur edhe për komunikimet në aplikacionin Sky ECC, duke theksuar se Prokurorët e posaçëm përpiqen që të mos kenë në dispozicion vetëm komunikimet e ketij aplikacioni, por t’i lidhin ato edhe me prova të tjera.
“Nuk është e vërtet që s’ka arrestime të politikanëve, pasi kemi ish-deputetin Jurgis Çyrbja të arrestuar. Ne nuk kemi në dispozicion të gjithë databazën e Sky ECC, në vijimësi ne kërkojmë kode të tjera kur na dalin në bazë të hetimeve që kemi. Në bazë të rezultateve të deritanishme nuk ka dalë lidhja direkte. Ne si institucion jemi të vëmendshëm që të ndajmë provën nga thashethemi, duke u përpjekur që të jemi sa më objektivë. Tashmë kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, ne po presim vendimin e arsyetuar për të parë argumentet. Ne përpiqemi qe të mos kemi në dispozicion vetëm komunikimet në Sky ECC, por t’i lidhim ato edhe me prova të tjera. Ju garantoj që në momentin që konstatohet kushdo person, e kemi prova, do të marrim vendimet tona”, tha Dumani.