Krimi në rritje, ”furtunë” rokade në Polici. Ardi Veliu shkëmben drejtorët

Në një kohë që vendi është në parametrat më të ulta të sigurisë, ku vrasjet janë shtuar dhe bandat kanë marrë kontroll dhe për shumë arsye, një valë ndryshimesh ka përfshirë Policinë e Shtetit. Janë ndryshuar drejtorët vendorë në qarqet Elbasan, Kukës dhe Dibër, ku janë shënuar edhe ngjarjet më të rënda kriminale. Arjan Muça, drejtor i Drejtorisë Vendore në Elbasan është transferuar në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa në vend të tij është vendosur, Alket Shatro. Ndryshime ka edhe në Kukës, ku drejtori Erigert Mitri është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme, ndërsa në vend të tij është emëruar Alban Çela. Po në Dibër, Skënder Kalemi ka kaluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe është zëvendësuar nga Artur Selimi, drejtor i Policisë Vlorë.

Për Shqipërinë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, është një nga kushtet kryesore prej 15 të tilla të vendosua nga Bashkimi Europian në lidhje me negociatat për Integrimin. Këto lëvizje nuk janë të parat për këtë vit. Në qershor të këtij viti, pas skandaleve dhe problemeve në disa dogana të vendit, bëri që në kupolën e Policisë së Shtetit të ketë ndryshime. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu firmosi urdhrin për 6 lëvizje. Lëvizjet e firmosura prekën disa drejtori në qarqe dhe postet drejtuese të kufirit në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër.

Pas skandalit, që fillimisht solli ndalimin dhe më pas gjykata e liroi nga qelia dhe e pezulloi Enkeleda Toskën, të akuzuar si të implikuar në trafikun e arabëve, në vendin e saj në drejtorinë e kufirit dhe migracionit në Tiranë u emërua Arben Ibro. Nga ana tjetër, dogana në Korçë është bërë një rrugë e artë për refugjatët që kalojnë lehtësisht duke paguar edhe shifra që shkojnë nga 500 euro. Me këto lëvizje, Policia e Shtetit synon që të përmirësojë situatën, duke marrë parasysh edhe që pandemia e Covid-19 në Shqipëri ende nuk është larguar, puna në këto dogana dhe drejtori është e lartë. ”Me qëllim dhënien e një impulsi të ri luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, goditjes së kultivimit të kanabisit dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt shoqëror”,-thekson Policia e Shtetit.

Në 6 vitet e fundit janë shënuar mbi 386 vrasje. Ekzekutime mafioze, krime në familje dhe shpërthime me tritol, janë ngjarjet që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës. Shumica e vrasjeve janë ende pa autorë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përpiqet që të minimizojë ngjarjet e fundit kriminale teksa promovonte skuadrat “Shqiponja” nëpër Shqipëri, duke thënë se këtë vit kemi numrin më të ulët të vrasjeve. Shifrat flasin ndryshe. Në 6 mujorin e parë të vitit 2020, kur Shqipëria dhe bota u izoluara për disa muaj për shkak të pandemisë së Covid-19, u regjistruan 24 vrasje. Grupet kriminale kishin kohën në favor të tyre, që të mendonin për metodat të cilat kanë rezultuar më të sofistikuara. Mbi të gjitha autoritetet janë larg zbardhjes të së vërtetës.

Prej disa javësh vendi po përjeton krime të frikshme, çdo ditë vërshojnë plumbat edhe nën sytë e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Atentate me eksploziv në limitet e një akti terrorist, ekzekutime mafioze e deri tek vrasje me thikë apo dhe ato për motive banale, kanë bërë që policia ti përgjigjet situatës me postblloqe. Kudo polici, forca speciale, të armatosur deri në dhëmbë që po terrorizojnë qytetarët. Por a tregon ky reagim se kemi një polici të dobët? Pra një polici që ngrihet në këmbë kur situata i del nga kontrolli dhe bën propogandë?

Rreziku nga vrasjet, dhuna ndaj fëmijëve, trafikimi i qenieve njerëzore dhe dhuna seksuale është i rëndësishme për t’u adresuar. Për të trajtuar këto sfida dhe për të ndërtuar një shoqëri më paqësore, duhet të ketë ligje më efikase dhe transparente të vendosura dhe buxhete realiste të qeverisë.

/Koha Jonë/ R.SH

SHKARKO APP