
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama, ngjarje e ndodhur më 23 korrik 2025, në fshatin Frashër të Patosit. Në përfundim të hetimeve, çështja është dërguar për gjykim, ndërsa për këtë ngjarje akuzohen vajza e viktimës dhe bashkëshortja e tij.
26-vjeçarja Ermalinda Rama akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa nëna e saj, Valbona Rama, akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, krimi dyshohet se është kryer në banesën e familjes, ku e reja i ka shtrënguar të atit qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen.
Pas ngjarjes, bashkëshortja e viktimës dyshohet se ka ndërhyrë për të pastruar ambientin ku u gjet trupi dhe për të larë atë, me qëllim fshehjen ose ndryshimin e gjurmëve të krimit dhe pengimin e zbardhjes së plotë të ngjarjes.
Për të dokumentuar rastin, organi i akuzës ka administruar deklarimet e personave të përfshirë, rezultatet e ekspertimit mjekoligjor, këqyrjen e vendit të ngjarjes, sendet e sekuestruara dhe prova të tjera të mbledhura gjatë hetimeve.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:00 të 23 korrikut 2025. Në njoftimin e parë drejtuar autoriteteve, 26-vjeçarja kishte deklaruar se babai i saj kishte humbur jetën në rrethana aksidentale. Megjithatë, dyshimet e ngritura gjatë veprimeve fillestare hetimore çuan në vijimin e hetimeve për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Hetimet e kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, zbuluan dyshimet se 56-vjeçari ishte vrarë me mbytje me tel. Në atë kohë, sipas Policisë, vajza kishte pranuar autorësinë e krimit, ndërsa nëna e saj ishte shoqëruar për t’u marrë në pyetje lidhur me rolin e dyshuar në pastrimin e trupit të viktimës.
Me përfundimin e hetimeve, çështja i është kaluar gjykatës, e cila do të shqyrtojë provat dhe do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të dy të pandehurave.
Ermalinda Rama akuzohet në bazë të nenit 79/a të Kodit Penal për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, ndërsa Valbona Rama akuzohet në bazë të nenit 301 për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Të dyja prezumohen të pafajshme deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
