Kryeministri Edi Rama, me “Bukë dhe Zemër” në “Bread & Heart” Festival, ku priten mbi 150 arkitektë nga e gjithë bota
Kryeministri Edi Rama ka çelur sot në Tiranë edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar “Bread & Heart” (“Bukë dhe Zemër”), një aktivitet i ri europian që mbledh në kryeqytetin shqiptar mbi 150 arkitektë të njohur nga Europa, Azia, Amerika Veriore dhe Jugore.
Në një format unik, festivali sjell së bashku profesionistë të fushës së arkitekturës që punojnë aktualisht në Shqipëri, partnerët e tyre lokalë si dhe të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës publike, kulturore e akademike, për të ndarë përvoja dhe për të diskutuar mbi sfidat e zhvillimit urban, përfshirjes sociale dhe transformimeve të mëdha që po përjeton vendi.
Në fjalën që shoqëroi hapjen e aktivitetit, kryeministri Rama theksoi:
“Ky festival është një hap i ri drejt një Shqipërie që flet gjuhën e ideve, krijimtarisë dhe bashkëpunimit europian, duke e çuar përpara procesin e transformimit tonë urban dhe shoqëror. ‘Bread & Heart’ është më shumë se një festival – është një tryezë ndërkombëtare reflektimi dhe ndërtimi.”
Përmes diskutimeve tematike, prezantimeve të projekteve, paneleve dhe formateve bashkëpunuese, festivali synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për formulimin e politikave zhvillimore dhe për nxitjen e një dialogu mes ekspertëve dhe vendimmarrësve.
“Bread & Heart” konsiderohet një gur themeli në përpjekjen për ta pozicionuar Shqipërinë në një tjetër hartë prestigjioze të Europës urbane dhe kreative. Organizatorët synojnë që ky aktivitet të shndërrohet, në vitet në vijim, në një ngjarje me peshë globale, ku arkitektura mbetet në qendër, por ku përfshihen gjithnjë e më shumë disiplina të tjera – nga urbanistika dhe arti, te teknologjia, sociologjia dhe politika publike.
Ky festival shënjon një tjetër kapitull në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe afirmimit ndërkombëtar, duke vendosur dialogun kulturor dhe profesional si themel të zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
AV
KOHA JONË SONDAZH

