Kryetari Beci: Ekspozita “Paraja rrëfen” solli në Shkodër një shekull histori financiare
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, vlerësoi organizimin e ekspozitës “Paraja rrëfen” në ambientet e Kinemasë “Republika”, si një ngjarje që lidh historinë financiare të vendit me kulturën dhe dialogun qytetar. Ekspozita, e sjellë nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, paraqet monedha, kartëmonedha dhe dokumente të rralla në kuadër të 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë.
Postimi i plotë:
Kinema “Republika” u kthye në një ambient ku paraja shqiptare “rrëfen” një shekull zhvillim, identitet dhe transformim ekonomik. Ekspozita “Paraja rrëfen”, e organizuar nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, solli në Shkodër monedha e kartëmonedha të rralla, dokumente arkivore dhe objekte origjinale që dëshmojnë rrugëtimin financiar të vendit.
Kjo ekspozitë, pjesë e aktiviteteve për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, dëshmon se institucionet moderne ndërtohen mbi histori, besueshmëri dhe stabilitet.
Shkodra është një qytet që mirëpret kulturën, dijen dhe dialogun mbi të shkuarën dhe të ardhmen.

