
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë të distancohen nga aktet e dhunës, duke theksuar se protestat paqësore janë një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike. Ai theksoi se protesta paqësore mbetet një e drejtë e paprekshme e qytetarëve, duke iu referuar edhe pjesëmarrjes në tubimin e fundit. Sipas Ramës, në kulmin e saj, turma arriti në rreth 1,500 persona, mes të cilëve, sipas tij, kishte edhe studentë idealistë, por të ndikuar nga ide radikale.
Kryeministri përmendi gjithashtu lëvizjen ANTIFA, duke pretenduar se disa prej pjesëmarrësve ishin radikalizuar nga teori që e lidhin dhunën me arritjen e objektivave politike. “Atyre u them të distancohen nga dhuna. Idetë janë çështje zgjedhjeje, dhuna nuk është ide, është krim, armik i demokracisë dhe i lirisë”, u shpreh Rama.
Në përfundim të deklaratës, kreu i qeverisë paralajmëroi se në ditët në vijim do të bëhen publike edhe informacione të tjera, pa dhënë detaje konkrete mbi përmbajtjen e tyre. “Ka një orë për të folur për të gjitha. Sot ishte kjo, nesër do t’ju ekspozojmë gjëra të tjera për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur te informacioni dhe funksionimi i institucioneve. Bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar”, deklaroi kryeministri.
