Kurbin – Zjarri shkrumbon dhjetra hektarë pyje në Zheje, ndërhyri ushtria
Një zjarr i rënë pasditen e së premtes në masivin pyjor të fshatit Zheje në Kurbin dogji me dhjetra hektarë pyje si dhe rrezikoi disa banesa.
Vatra e zjarrit u shfaq në një pjesë të malit, duke u përhapur me shpejtësi në një siperfaqe të konsiderueshme.
Kanë qenë banorë të zonës të cilët kanë pikasur flakët dhe kanë njoftuar menjëherë zjarrfikësit dhe policinë.
Këta të fundit mbërritën në kohë, por terreni i thyer malor e bëri të pamundur ndërhyrjen. Në këto kushte Emergjencat Civile në Lezhë kërkuan ndihmen e ushtrisë për të shuar flakët e zjarrit të cilat ju afruan banesave.
Dhjetra ushtarë të ndihmuar dhe banorë të zonës u angazhuan për shuarjen e zjarrit dhe gjithçka u vu nën kontroll në harkun kohor të tre orëve.
Ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri, ndërsa policia ka nisur hetimet.




/Oranews

