Kush del nga burgu? Të dënuar për aksidente, shkatërrim prone apo për doza të vogla droge
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, shërbimi i provës dhe të gjitha prokuroritë të cilave ju është përcjellë drafti i amnistisë po shqyrtojnë kategorinë e shtetasve të burgosur, nën hetim dhe të dënuar alternativë ose me gjobë që parashikohet të përfitojnë, mbasi çështja të kalojë për diskutim në komisionin e ligjeve.
Përveç 600 të burgosurve në burgje të dënuar deri në 3 vjet për krimin e vjedhjes, të kapur me doza të pakta droge, dhe vepra të tjera të lehta, qindra të tjerë do të shpëtojnë nga e njëjta amnisti.
Bëhet fjali për gati 540 të dënuar me shërbim prove për aksidente, shkatërrim prone dhe vjedhje. Prokuroritë nuk kanë konfirmuar ende volumin e dosjeve që pritet të pushohen kur projektligji të miratohet.
Ajo që vihet re në shkresat, është përjashtimi nga amnistia jo vetëm i të dënuarve për krime të rënda, por edhe i kujtdo që është arrestuar, dënuar apo është nën hetim për lojërat e fatit dhe bixhozin, ndërtimet e paligjshme dhe të kujtdo që kreu korrupsion në zgjedhje
Kushdo që është nën hetim për vepra që dënohen deri në dy vjet burg do ti ndërpritet ndjekja penale. Por aty përjashtohen ata që dyshohen se kryen shpifje fyerje dhe nuk deklaruan pasuritë, vepra që kanë të njëjtin marzh dënimi.