Kush është nënkomisari i policisë i përfshirë në trafik droge
Festim Lelaj, efektiv policie nga Vlora, me detyrë nënkomisar në Drejtorinë e Policisë së Fierit është arrestuar mbrëmjen e djeshme nën akuzë për trafikimin e 2.5 ton hashash nga Shqipëria drejt Italisë. Sakaq në kërkim janë shpallur Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa.
Sasi e madhe droge është kapur në Janar 2017 brenda një kamioni në Ancona (Itali) ndërkohë policia vendase mundi të kapë vetëm shoferin e kamionit.
Lidhur me këtë rast policia italiane ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shqipërisë, ku përgjatë një viti hetime, është konkretizuar me prova konkrete implikimi i nënkomisarit të policisë, Festim Lelaj , në këtë trafik të madh droge.
Sipas prokurorisë Lelaj, ka qënë pjesë e një zinxhiri policor që janë implikuar me grupet e trafikut të drogës në Vlorë dhe se kishte njohje të afërt me shtetasin Renaldo Avduli (polic i Vlorës i shpallur në kërkim). Ka dyshime të forta thotë prokuroria se nënkomisari Lelaj ka lidhje me grupet kriminale që kultivonin lëndën narkotike në zonën e Treblovës dhe Vezhdanishtit.
Në një vendim të Gjykatës së Lartë vërtetohet shoqëria mes dy policëve Renaldo Avduli dhe Festim Lelaj. Në këtë vendim,të datës 15 shtator 2014 thuhet se Renaldo Avduli është tentuar të vritet për hasmëri nga shtetasi Satilno Basho, por ka qënë ndërhyrja e Festim Lelaj që ka ndihmuar Avdulin, shkruan sot “Shqiptarja.com”.
Anëtarët e tjerë të arrestuar
Gjatë mbrëmjes së djeshme Lelaj është sjellë drejt Tiranës, ku në ditët në vijim pritet të dalë para gjykatës së Krimeve të Rënda për tu njohur me masën e sigurisë.
Hetimi i kësaj dosje është udhëhequr nga prokurori Dritan Prençi, dhe sipas akuzës Lelaj nuk është organizator i trafikut të 2.5 ton droge me kamion përmes Portit të Durrësit, por persona të tjerë fshihen pas tij. Në janar të 2017 ngarkesa i kaloi të gjitha pengesat dhe kontrollet në Portin e Durrësit, ndërsa u pikas nga autoritetet italiane në Ancona ku u arrestua drejtuesi i kamionit Dhimo Koraj.
Arrestimi i kamionistit çoi në zbërthimin e rrjetit kriminal të trafikut të drogës, në krye të cilit qëndronte pikërisht oficeri i policisë së Fierit. Krahas, drejtuesit të lartë të policisë së Fierit, Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi edhe për dy persona të tjerë, Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa. Ndërsa kohë më parë janë prangosur edhe Demo Progonati, Euron Hoti, Malton Lleshi dhe Aurel Lazaj, të cilët tashmë hetohen me masë e sigurimit “arrest në burg”.
Të arrestuar
Festim Lelaj
Demo Progonati
Euron Hoti
Malton Lleshi
Aurel Lazaj
Në kërkim
Skënder Siceqa
Arbi Mustafa
KOHA JONË SONDAZH

